Qytetarë nga 18 familje në Katundin e Ri në Yrshek, kanë denoncuar mosmarrjen e bonusit të qerasë prej katër muajsh nga qeveria, pas shpalljes së pallatit të tyre si të pabanueshëm!
Pallati ku strehohen këto familje, pati dëmtime të rënda pas tërmetit të 26 nëntorit dhe si pasojë u shpall i pabanueshëm nga ekspertët dhe Instituti i Ndërtimit.
Mirëpo pallati në fjalë ende nuk ka marrë një vlerësim përfundimtar për dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë 18 familje në katund të ri në Yrshek që prej muajit gusht nuk e kanë marrë bonusin e qerasë.
Pamundësia për tu strehuar diku i ka detyruar të rikthehen në banesat duke rrezikuar dhe jetën në një objekt që është shpallur i pabanueshëm derisa të rikonstruktohet.
“Morëm bonusin deri në muajin gusht dhe vazhduam në rregull, në muajin shtator e mbrapa u bënë katër muaj që na e hoqën. Ne ndenjëm dhe dy muaj me qera pastaj nuk e përballuam dot dhe erdhëm jemi futur te rreziku”, ka thënë një prej banorëve të pallatit i cili është shpallur i pabanueshëm.
Gjithashtu qytetarët janë ankuar në njësinë administrative por dhe në bashkinë Tiranë por ende janë pa përgjigje.
“Ne kemi shkuar në Bashkinë tonë që kemi këtu dhe nuk na japin asnjë lloj rrugëzgjidhje. Na thonë nuk kemi ça ju bëjmë e ka në dorë Bashkia e madhe. Kanë shkuar disa djem dhe atje nuk i kanë lënë të futen brenda fare. Tarraca e shkallëve është e dëmtuar, një tërmet tjetër të bjeri, mjerë atë që do zërë brenda. E para ne duam të na rregullohet se jemi në rrezik. E dyta të na jepet bonusi që të ikim prapë se po na shembet e po na shtyp”, ka deklaruar një tjetër banor, i cili i bën apel autoriteteve për marrjen e masave sa më parë.
Kujtojmë se më shumë se 1 vit pas tërmetit të 26-nëntorit, banorët e këtij pallati ende nuk i kanë marrë paratë për rikonstruksionin e shtëpive të tyre.
Po ashtu që prej muajit gusht këto 18 familje nuk kanë marrë as bonusin e qerasë, mirëpo nga ana tjetër, njësia administrative dhe Bashkia e Tiranës kanë treguar joprofesionalizëm dhe neglizhencë të theksuar./Gazetareforma.com/