Në Gjykatën Speciale në Hagë sot është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në këtë seancë është diskutuar edhe për kërkesat për lirim të përkohshëm.
Prokurorja është shprehur se sa i takon mocionit për lirim të përkohshëm për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçit është refuzuar.
“Sa i takon mocioneve paraprake ne nuk shikojmë ndonjë bazë sa i takon shtyrjes. Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket z. Thaçi, e kemi dhënë këtë përgjigje dje brenda afatit”, ka thënë ajo.
Prokurorja e ZPS-së ka thënë se tashmë i kanë kthyer përgjigje ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi në kërkesën që ai të lirohet përkohësisht.
“Sa i takon mocioneve paraprake ne nuk shikojmë ndonjë bazë sa i takon shtyrjes. Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket z. Thaçi, e kemi dhënë këtë përgjigje dje brenda afatit”, ka thënë ajo. Të njëjtin vendim tha ajo do ta marrin edhe për kërkesën e njëjtë që ka bërë edhe ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Mbrojtja kërkon kohë
Prokurori Allan Tiger dhe gjykatësi Nicolas Guillou, kanë kërkuar që konferenca e ardhshme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të mbahet në fund të janarit të vitit 2021.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë thënë se 18 muaj janë minimumi që i duhet mbrojtjes për t’i bërë përgatitjet. Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, ka thënë se ende nuk kanë filluar të mendojnë sa i përket nisjes së hetimeve. Ai ka thënë se është herët, pasi sipas tij, sapo i kanë marrë materialet dhe ende nuk kanë krijuar pikëpamje lidhur me materialin.
Ai ka thënë se afati 18 mujor është minimumi që ata parashikojnë për të filluar që të shikojnë nëse kanë ekipin dhe aspektet e nevojshme për t’u bërë hetimet e nevojshme, e pastaj kjo, sipas tij do të fillonte në vitin 2022. “Nëse mua më flasin për një proces të rregullt gjyqësor unë mendoj që është e pakonceptueshme, por duhet të them se këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese. Ne ende nuk kemi filluar ta krijojmë ekipin hetimor”, ka thënë ai.
Mbrojtja: Do të hetojmë akuzat e bëra
Avokati i Veselit, Ben Emmerson ka thënë se kanë marrë hapat paraprak për krijimin e një mekanizmi hetimor.
Sipas tij, mbrojtja duhet të kryejë hetim më të gjerë për të gjitha akuzat.
“Nëse mund ta them për çështjet tjera gjyqësore kjo është tepër e pazakontë. Janë ngritur dyshime kundër të akuzuarve që përpiqet t’i lidhë ata me krime që nuk kanë qenë të përzier”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kanë identifikuar një hetues me përvojë në Kosovë që është pjesë e ekipit të mbrojtjes. Ai më tutje ka shtuar se do të rekrutojnë deri në gjashtë hetues.
Emmerson ka propozuar një ekspert ndërkombëtar për mbikëqyrjen e hetuesve të kualifikuar. Ai ka thënë se gjyqi mund të fillojë në fillim të vitit 2023.
Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar Prokuroria të pushojë së paraqituri prova kur të do, ndërkohë që e ka quajtur “gijotinë” kërkesën e saj që gjykimi të fillojë në shtator.
Emmerson ka kundërshtuar idenë e përfaqësuesit të Prokurorisë, Allan Tiger, që të dorëzojë dosjen e saj në gjykatë në qershor ose korrik, me kushtin që gjykimi të nisë në shtator.
“Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe absurde. Duhet të ndalet kjo gijotinë e Prokurorisë. Ajo që Tiger sapo tha, është shqetësim mjaftë i rëndë. Habitem se si prokuroria i jap këto përgjigje. Është një parashtrim shokues, ka vetëm një arsye, që të kufizojë mundësinë e mbrojtjes për përgatitje, në qoftë se rregullat thonë që për një gjykim mbrojtja duhet të ketë pak kohë për përgatitje është në rregull, por nuk e thonë. Afati përcaktohet nga kompleksiteti i rastit”, ka thënë Emmerson.
Ai ka paralajmëruar që bashkëngjitur me kërkesën për lirim të klientit të tij, Veselit, do të dorëzojë edhe prova që dëshmojnë se përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla kanë marrë deri në 3 vjet e gjysmë. Ka përmendur edhe gjykimin e Ramush Haradinajt në Hagë.
“Është qesharake, është përpjekje e prokurorisë për të pasur një gjykim të padrejtë”, shtoi avokati i Veselit.