Deri në 10 janar Gjermania do të jetë në bllokim total, duke mbyllur shkolla dhe biznese, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Për festat e Krishtlindjes do të ketë një lehtësi shumë të vogël të masave, ku do të lejohet që një familje të presë deri në katër persona anëtarë të ngushtë të familjes.
Gjermania shpresat tashmë i sheh vetëm tek vaksina, teksa shpreson që ta marrë brenda dhjetorit edhe pse është në dorë të BE. Ditën e djeshme në Gjermani 952 persona humbën jetën nga Covid-19, ndërsa u shënuan 23,427 raste.
Në fillim të nëntorit, në të gjithë Gjermaninë u morën masa të pjesshme kufizuese si mbyllja e objekteve të kulturës dhe aktiviteteve në kohë të lirë. Kafenetë dhe restorantet punonin vetëm për shitjen e mallrave jashtë objekteve, pra mund të shisnin ushqime që mund të merren me vete. Edhe për takimet e personave u ashpërsuan masat: në ambiente të hapura mund të takohen vetëm anëtarët e dy familjeve, e kjo vlen pjesërisht edhe për takime në objekte të mbyllura. Hotelet nuk pranojnë turistë. Dyqanet edhe më tej mbeten të hapura, por me kushte shumë më të rrepta se deri tani. Shkollat dhe kopshtet ishin të hapura, ndërsa me masën e marrë mbrëmë mbyllen të gjitha.
Qëllimi është kufizimi i kontakteve, që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor në Gjermani – në veçanti puna e stacioneve intensive.
/GazetaReforma.com/