Shkurtimi i stafeve të punës dhe shtyrja e tatimfitimit për bizneset në vend i kanë kushtuar arkës së shtetit mbi 18 miliardë lekë humbje.
Ulja e punësimit ka reduktuar më shumë edhe portofolin e familjeve shqiptare dhe ka lënë boshllëqe në arkën e shtetit.
Gjatë pandemisë shumë qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe ky numër u rrit vrullshëm pas përfundimit të sezonit turistik. Konkretisht në periudhën janar-nëntor mbi 50 mijë qytetarë mbetën të papunë.
Sigurisht që humbja e një vendi pune do të reflektohej në humbje të ardhurash për këto familje dhe rrjedhimisht në reduktim të ardhurash që duhet të shkonin në buxhetin e shtetit.
Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Financave, me të dhënat e grumbulluara në 11mujor rezulton se, vetëm nga tatimi mbi të ardhurat personale arka e shtetit ka dalë 9.7 miliardë lekë minus krahasuar me një vit më parë.
Madje ky zë ka dalë në humbje edhe në krahasim me planin fillestar të buxhetit 2020, konkretisht me 9.4 miliardë lekë minus. Sakaq, ministria sqaron në raport se kjo humbje lidhet drejtpërdrejt me të larguarit nga puna, si dhe shkurtimin e orëve të punës, që përkthehet në një pagë më të vogël për qytetarët.
“Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 33.7 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 22.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, 3 miliardë ose 8.3% më pak se plani për periudhën janar-nëntor 2020, si dhe 9.4 miliardë ose 21.8% më pak se plani fillestar për vitin 2020.
Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e Covid-19”, thuhet ndër të tjera në raport./Gazetareforma.com/