Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të Zamira Ramit, ish-kryetare e bashkisë Gjirokastër.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga SPAK thuhet se zonja Rami ka shpërdëruar detyrën gjatë kohës që ajo ishte në krye të bashkisë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deklaron se sot ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 38 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurës: Zamira Rami, ish-kryetare e bashkisë Gjirokastër, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave zyrtare, Rami ka prishur dy prona të ligjshmet dy qytetarëve të Gjirokastrës, duke shkelur kështu ligjin që mbron pronën private, për realizimin e projektit “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit.
“Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se ish- kryetarja e Bashkisë gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, në lidhje me procedurat e ndjekura për lejen e ndërtimit dhe vazhdimin i punimeve për realizimin e projektit “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit”, si dhe lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikualifikimi i hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”.
Ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke prishur dy prona të ligjshme të shtetasve Dritan Sako dhe Teodorti Xhai dhe duke i shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5. 600. 520 (pesëmilionë e gjashtëqindmijë e pesëqind e njëzetë) lekë”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Gazetareforma.com/