Rishfaqet Sandër Lleshaj, nuk i iket nga detyra. Edhe pse dy ditë më parë ka dorëzuar dorëheqjen, shpjegon se si veproi policia e Shkodrës me protestuesit që dogjën selinë e PS-së.
“Policia nuk bazohet në supozimin që çdokush në çdo cep të Shqipërisë duket të çmendet dhe të thyejë diçka. Ngjarja e sotme ishte një ngjarje që ishte jashtë supozimit të policisë që një protestë e organizuar nga organizatorë do të merrnin përsipër përgjegjësinë të digjnin një objekt publik, selinë e PS.
Kjo ishte e paparashikueshme., Një gjë që s’ka ndodhur për vite, por ndodhi sot. Policia reagoi, mirë do ishte të kishte reaguar më shpejt por s’mund të ngarkohet më përgjegjësi për gjëra të tilla të paparashikueshme”, tha Lleshaj.
Ndërkohë për sa i përket ngjarjes tragjike ku 25 vjeçari Klodian Rasha u vra nga efektivi i policisë, Lleshaj tha se ecuria e ngjarjes është provuar dhe kamerat e bizneseve kanë dokumentuar gjithçka, ndërsa shtoi se ka marrë reagime pozitive për dorëheqjen që dha dy ditë më parë.
“Ecuria e ngjarjes është e provuar. Ka patur një seri kamerash që kanë dokumentuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Nuk ka pikëpyetje në dinamikën e ngjarjes, ngjarja është e zbardhur plotësisht. Deri më tani nuk evidentohen defekte në zinxhirin e komandimit të policisë. Sipas vlerësimeve të deritanishme, është e gjitha një dramë e një sjellje të papërshtatshme e një punonjësi të Policisë së Shtetit.
Përgjithësisht kam marrë reagime pozitive, ku më kanë thënë që më mirë do ishte të mos e jepja dorëheqjen, por vlerësojnë aktin që bëra. Jam indiferent ndaj reagimeve pasi ka qenë një lëvizje krejtësisht personale për të reflektuar ndaj një ngjarje të rëndë.
Tërheqja ka edhe një dimension politik. U gjeta në mënyrë të pandershme dhe të padrejtë në zjarrin politik të disa përfaqësuesve politikë që drejtuan gishtin kundër meje dhe më quajtën edhe vrasës. Ky ishte një aspekt i papranueshëm që vijnë akuza nga persona që kanë në CV-në e tyre përgjegjësi të rënda penale.
Këta persona drejtojnë gishtin kundër meje, ndërkohë që nuk kanë dalë para përgjegjësisë dhe nuk mbajnë përgjegjësi qoftë edhe morale. Unë e dhashë dorëheqjen për t’u thënë “unë nuk jam si ju”, tha Lleshaj.