Efektivi i Shqiponjave, 31-vjeçari Nevaldo Hadëraj, mësohet se do të dalë sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me vendimin që do të jepet ndaj tij.
Prokuroria pritet të japë sot pretencën dhe t’i paraqesë trupës gjykuese akuzën për policin, në orën 13.30.
Deri tani nga ana e Prokurorisë nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ngjarjen dhe se për çfarë akuzohet konkretisht efektivi i Shqiponjave, i cili dy ditë më parë qëlloi me armën e shërbimit Klodian Rashën, 25 vjeç, i cili sipas autoriteteve ndërroi jetë në spital.
Prokurori Ardian Braho që ka drejtuar hetimet për vrasjen, ka përjashtuar që ditën e vrasjes Policinë e Shtetit nga hetimi, duke i hequr kësaj të fundit të drejtën të kryejë kerkimet e veta për ekzekutimin e të riut. Prokurori Braho është mbështetur nga SHÇBA-ja.
Ndërkohë SHÇBA-ja ka arrestuar efektivin e Shqiponjave dhe e akuzon për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Sipas SHÇBA, nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.
Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme./Gazetareforma.com/