Oligarkët dhe miqtë e qeverisë jo vetëm po shkatërrojnë gjithë brigjet e detit në vendin tonë duke i betonizuar pa kriter dhe duke i copëtruar e zapruar, tani po varrosin edhe monumentet e natyrës.
Për këto të fundit Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e cila ka vendosur të heshtë, duket se është blerë me gjasë me ndonjë vilë në “Green Coast”.
Pikërisht për këtë të fundit, duket se po varroset një nga monumentet e natyrës më të rralla dhe më të bukura të brigjeve të Jonit, që është delta e Palasës.
Këtë krim të pastër natyror, pas biznesmenit Samir Mane që ngriti një resort të tërë në një prej zonave më të bukura dhe më të virgjëra të bregut, po e bën më pas edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ky i fundit, për llogari të “Green Coast”, po ndërton një parkim të paligjshëm privat për llogari të resortit turistik privat, vilat e të cilave i kanë blerë politikanë dhe njerëz të famshëm të jetës publike në vend.
Tenderi që po shkatërron natyrën e Jugut
Një tender ku si fillim në garë morën pjesë 7 kompani, por u kualifikuan vetëm 2 prej tyre, Gjikuria dhe Fusha, ndërsa 5 të tjerat u skualifikuan si gjithmonë, për “rikualifikimin urban në zonës Plazhi i Palasës-Drymadhes”, është totalisht në favor të oligarkëve.
Në afërsi të “Green Coast” është edhe një monument natyre i mbrojtur nga shteti. “Delta e Përroit të Palasës”, i cili sipas listës nga Ëikipedia është monumenti i 35-të që duhet të mbrohet në qarkun e Vlorës.
(https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Lista_e_monumenteve_natyrore_n%C3%AB_Shqip%C3%ABri#Rrethi_Vlor%C3%AB)
Duke shfletuar ligjin për zonat e mbrojtura, ndalohet rreptësisht ndërhyrja apo shkatërrimi i Monumenteve të Natyrës. Madje, ligji përcakton se ka edhe një zonë buferike (zonë sigurie) nga 50 deri në 200 metra, ku nuk duhet të ndërhyhet, të bëhen punime apo edhe vepra të tjera.
Gjithkush e mban mend debatin për kanionin e “Holtës” në Gramsh, ku po ndërtohej HEC-i në hyrje të tij.
Por, le të analizojmë se çfarë ka ndodhur apo do të ndodhë në “Deltën e Përroit të Palasës”.
Në dokumentet e tenderit që ka shpallur FSHZH, ku pritet edhe fituesi, duket mjaft qartë se Fondi ka “kafshuar” një pjesë të mirë të këtij monumenti natyror.
FSHZH ka zhvendosur me disa metra gjurmën e rrugës, duke e futur në brendësi të Deltës, pa “iu dridhur aspak qerpiku” dhe duke shkelur haptazi ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Pamja e mësipërme është mjaft e qartë! Një pjesë e mirë e rrugës është brenda kësaj Delte, duke shkelur haptazi ligjin. Por, sikur të mos mjaftonte gjurma e rrugës brenda Deltës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përcaktuar që brenda këtij Monumenti të bëjë edhe një parkim gjigant. Shikoni dokumentet e tenderit dhe gjurmën e parkimit, ku rezulton mjaft qartë se është brenda Përroit.
Sa përfshihet Blendi Klosi në këtë skandal?
Ajo që bie në sy është fakti se kush e ka dhënë “lejen mjedisore” për këtë projekt? Kush e dha aprovimin për ndërtimin e rrugës dhe parkimin? A ka marrë leje FSHZH te Administrata e Zonave të Mbrojtura e drejtuar nga Zamir Dedeji për këtë projekt? Natyrisht, nëse do të pyeste cilindo specialist mjedisor, përgjigja do të ishte totalisht negative.
Nëse bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet, rezulton se firma “Gjikuria”, ajo që bëri rrugën pa leje dhe po ndërton “Green Coast”, është gjobitur për shkatërrim të Monumentit të Natyrës “Delta e Përroit të Palasës”.
Në vitin 2018, një inspektor i ADZM Vlorë, i tha mediave se “Delta e Përroit të Palasës” është monument natyre, e shpallur në datën 20.10.2002. Nuk lejohet që të bëhen gërmime, pa lejet e organeve përkatëse. Gërmimet janë të ndaluara”.
Por, në vitin 2015, më 25 korrik, është proceduar kundrejt firmës “Gjikuria” për gërmime në deltën e përroit të Palasës.
“Është bërë kallëzim penal për subjektin në fjalë. Ne deri më sot nuk kemi marrë asnjë informacion nga Prokuroria e Vlorës, deri ku ka shkuar hetimi”,- ka thënë ai.
/Burimi: Boldnews.al/Përshtati: GazetaReforma.com/