Ai do të mbahet mend në historinë e aviacionit botëror por dhe në historinë botërore si pionieri i fluturimeve supersonike, duke kaluar për herë të parë shpejtësinë e zërit.
Por sot piloti veteran i aviacionit të Shteteve të Bashkuara, Chuck Yeager, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Ishte bashkëshortja e tij që dha lajmin e trishtë për të gjitha mediat, raporton “Daily Mail”.
“Me dhimbje të thellë më duhet t’ju them se, dashuria e jetës sime Gjenerali Chuck Yeager, ndërroi jetë”,- shkruante në “Twitter”, Victoria Yeager.
Yeager, hyri në librat e historisë pas fluturimit me “Bell X-1”, një avion raketë eksperimental në vitin 1947. Më pas, ai theu disa rekorde të tjera shpejtësie dhe lartësie duke ndihmuar programin hapësinor amerikan.
Në vitin 1947, më 14 Tetor, avioni i Yeager, i quajtur “Glamorous Glennis” në nder të gruas së tij të parë, u nis në shkretëtirën “Mojave” për në Jugperëndim të SHBA-së.
Yeager, i cili asokohe ishte vetëm 24 vjeç, arriti shpejtësinë e më shumë se 1225 kilometra në orë, ose “Mack 1”, duke qenë piloti i parë supersonik.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: GazetaReforma.com/