Hajdutët në Rusi kanë bërë “hatanë” me vjedhjen më të fundit që kanë arritur të kryejnë, duke futur në alarm të gjithë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Shërbimin ushtarak të Inteligjencës “GRU”.
Disa hajdutë kanë mundur që të vjedhin një pajisje të sofistikuar nga radio e një aeroplani ushtarak rus i njohur ndryshe si “aeroplani i ditës së kiametit”, për rolin e tij në arsenalin bërthamor të vendit, raportojnë mediat shtetërore.
Raportet e bëra publike thonë se, hajdutë të panjohur hynë në aeroplanin “Ilyushin Il-80” në një fushë ajrore në rajonin jugor të Rostovit, dhe pasi hapën çelësin e ngarkesave, arritën të vjedhin 39 copë pajisje radio.
Ekspertët ushtarakë thonë se, avioni është një nga katër “Il-80”-at e dizajnuar për t’u përdorur si post-komandime ajrore (pika komandimi nga ajri) për zyrtarët rusë, përfshirë presidentin, në rast të një konflikti bërthamor.
Në një raport të hënën, agjencia shtetërore e lajmeve “Interfax” tha se, avioni kishte qenë duke i’u nënshtruar riparimeve të planifikuara, në një fushë ajrore në qytetin port të Taganrog-ut që nga fillimi i vitit 2019.
Zyrtarët nga Kompleksi Shkencor dhe Teknik i Aviacionit në Taganrog, raportuan vjedhjen te policia lokale në 4 dhjetor, tha agjencia.
Avioni është një nga katër “Il-80”, aktualisht në shërbim në Forcën Ajrore Ruse, megjithëse vetëm tre ekzemplarë janë operacionalë. “Interfax” i përshkroi ata si, avionët nga më të klasifikuarit në mes të forcës ajrore.
Nëse shpërthen një luftë bërthamore, presidenti rus do të hipte në njërin prej tyre, ku ai ose ajo, potencialisht mund të urdhëronte lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe të merrte vendime të tjera strategjike.
Pa dritare të jashtme përveç se në kabinën e pilotit, avionët janë krijuar që të kenë një farë mbrojtje nga efektet e një shpërthimi bërthamor. SHBA-të operojnë me një flotë të ngjashme “postash komanduese nga ajri”, të quajtur “E-4B Nightwatch”.
Në maj të vitit të kaluar, Zv.ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Aleksei Krivoruchko, tha se po punohej për të azhornuar dhe ri-pajisur “Il-80” të vendit.
Një brez i ri i “postave të komandës ajrore” raportohet të jetë gjithashtu në zhvillim.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: GazetaReforma.com/