Ish-deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj deklaroi sot se spitali rajonal i Lezhës duhet të hapet me shpejtësi për të sëmurët me COVID.
Ajo theksoi se është urgjente hapja e spitalit rajonal të Lezhës për t’iu ardhur në shërbim dhe trajtimin e specializuar mjekësor banorëve të Lezhës, të cilët sipas saj, po dergjen në shtëpi apo nëpër autoambulanca në oborret e spitalit “Shefqet Ndroqi”.
“Ndaj pikërisht nga spitali Rajonal i Lezhës unë dua t’i bëj thirrje dhe një apel Edi Ramës dhe ministres së Shëndetësisë, në emër të banorëve të Lezhës, banorëve të Kurbinit, banorëve të Mirditës dhe gjithashtu në emër të PD, e cila tashmë prej 29 shtatorit po e kërkon me ngulm hapjen e spitaleve rajonale: Të hapet në mënyrë urgjente spitali Rajonal i Lezhës. Të shtohen kapacitetet mjekësore. Të shtohen ambientet hospitalizuese. Të shtohet stafi i specializuar mjekësor dhe infrastruktura e duhur sipas standardeve të OBSH-së. Kjo është emergjente, pasi sot jeta dhe shëndeti i banorëve të Lezhës është dhe duhet të jetë prioriteti numër një”, tha Metallia.
Në një deklaratë për mediet në spitalin e Lezhës, Metaliaj tha se spitali rajonal i Lezhës ofron shërbim shëndetësor për banorët e tri bashkive, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë me përkatësisht 212 mijë banorë.
“Ne këto momente që flasim, gjatë pandemise të cilën po përjetojmë, padyshim Lezha është një vatër e nxehtë e përhapjes së infeksionit. Ndaj ne sot renditemi të tretët në shkallë kombëtare për përhapjen e lartë të koronavirusit. Këtë e vërtetojnë me se miri edhe të dhënat e fundit të marra nga ISHP, sipas së cilës nga e hëna deri te enjten janë bere 97 tampone dhe si rezultat i kësaj 39 persona kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Pra, që do të thotë se në jemi në kufijtë e shifrës 40%. Pra, 40%e personave të cilët kanë bere tamponin rezultojnë pozitiv me Covid-19. Jemi në shifra shumë të ulëta të testimeve, çfarë do të thotë se do të ketë më pak gjurmim, me pak izolim. Dhe aq më vonë do të bëhet edhe trajtimi i duhur mjekësor për qytetarët e prekur me Covid-19”, tha ajo.
/GazetaReforma.com/