Klubi i Manchester United i dyfishon pagën mesfushorit portugez Bruno Fernandes.
26-vjecari u transferua në gjirin e “djajve të kuq” në fundin e muajit janar nga Sportingu i Lisbonës, për vlerën fillestare të 55 milionë eurove, plus 25 milionë të tjera në formë bonuesesh dhe mesfushori i përfaqësueses luzitane u shndërrua menjëherë në liderin e vërtetë të skuadrës së drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer.
“Red devils” e lidhën mirë ish-kapitenin e “luanëve” me një kontratë të gjatë prej katër vjetësh e gjysmë, me opsion për një tjetër sezon shtesë, por gjithsesi duke parë përshtatjen e shpejtë, kontributin e tij të jashtëzakonshëm si dhe impaktin e menjëhershëm, krerët e klubit vendosën ta shpërblejnë numrin 18 të United me dyfishimin e rrogës.
Bruno Fernandes ka lënë prapa kampionin e botës Paul Pogba dhe është shndërruar gjithashtu edhe në një idhull të tifozerisë së “djajve të kuq”, gjithsesi një vlerësim i tillë nga ana e drejtuesve të United bëhet për të mbajtur larg edhe dy gjigantët e futbollit spanjoll Real dhe Barcelona, që të impresionuar nga forma shumë e mirë kanë bërë përpjekje për ta joshur në distancë lojtarin portugez.
Krerët e klubit dhe trajneri norvegjez po bëjnë cmos për ta kënaqur futbollistin luzitan. Bruno Fernandes është bërë menjëherë një futbollist i pazëvendësueshëm në ekip dhe klubi nuk ka humbur aspak kohë për ta vlerësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kështu rroga e re e 26-vjecarit nga Porto do të dyfishohet dhe mesfushori portugez do të paguhet me plot 200.000 stërlina në javë. Bruno Fernandes ka shënuar 22 gola, e numri 18 ka ndihmuar ekipin e tij gjithashtu edhe me 14 asiste në vetëm 37 ndeshje të zhvilluara gjithsej me fanellën e “red devils”.
Rroga e mesfushorit luzitan ishte vetëm 100.000 pound në javë dhe paga e tij ishte dukshëm më e ulët, krahasuar me futbollistët e tjerë të United. Kështu për shembull portieri David De Gea përfiton 350.000 stërlina në javë, ndërsa Paul Pogba merr 300.000 pound. Si nivel page rroga e deritanishme e Bruno Fernandes-it ishte e barabartë me atë të 27-vjecarit Jesse Lingard dhe pagën e portierit rezervë të skuadrës Dean Henderson. Gjatë karrierës së tij mesfushori ka fituar vetëm 3 trofe gjithsej, bëhet fjalë për 1 Kupë të Portugalisë dhe 2 Kupa Lige me fanellën e Sportingut të Lisbonës. 26-vjecari ka fituar shpejt simpatinë e të gjithëve dhe influenca e tij në gjirin e skuadrës është rritur ndjeshëm. Në 9 sfidat e këtij edicioni të Premier League-s Bruno Fernandes ka kontribuar me 7 gola dhe 3 asist, ndërsa në Champions ai ka ndihmuar me 3 gola dhe 1 asist , pa harruar gjithashtu faktin që në muajin qershor ai u votua në masë të gjerë nga tifozët e United si lojtari më i mirë i sezonit.