Zgjatet periudha për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore nga Garda. Sipas projektligjit për Gardën e Republikës, i hartuar nga Ministria e Brendshme, Presidenti Ilir Meta do të jetë nën mbrojtjen e Gardës deri në vitin 2027, pra për 5 vite pas përfundimit të mandatit në 2022, ndryshe nga sa ishte e parashikuar në ligjin e mëparshëm, ku presidentit i ofrohej 3 vitembrojtje pasi linte detyrën.
Ndërkohë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do të mbrohen nga Garda e Republikës edhe 4 vite pasi lënë detyrën, ndërsa për sa i përket kryetarit të opozitës, është në dorën e qeverisë nëse atij do t’i ofrohet mbrojtje ose jo.
Garda ruan dhe mbron:
- a) Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre;
- b) Presidentin e zgjedhur që nga momenti i betimit para Kuvendit,
- c) Zëvendëskryetarin e Kuvendit, Zëvendëskryeministrin, Ministrin përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, Ministrin përgjegjës për punët e jashtme;
- d) Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë
- e) Personalitete të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
- f) Personalitetet e huaja të të njëjtit nivel me personalitetet shqiptare të përmendura në pikën 1, germat “a” dhe “c”, të këtij neni, që vijnë për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë;
- g) Personalitetet e huaja në vlerësim dhe kërkesë të Protokollit të Shtetit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Garda ruan dhe mbron:
- a) Objektet ku ushtrojnë veprimtarinë dhe akomodohen Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, si dhe banesat ku ata banojnë apo akomodohen;
- b) Objektet ku zhvillohen seancat plenare të Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare;
- c) Godinën e Ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme;
- d) Objektet ku akomodohen dhe zhvillojnë veprimtarinë personalitetet e huaja të të njëjtit nivel me personalitetet e vendit të përcaktuara në pikën 1, gërmën “a”, të këtij neni, kur vijnë në vendin tonë;
- e) Objekte të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ruajta e personaliteteve pas lënies së detyrës
- Presidenti i Republikës pas përfundimit të mandatit gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për pesë vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.
- Kryetari i Kuvendit pas përfundimit të mandatit gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për katër vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.
- Kryeministri pas largimit nga detyra gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për katër vjet. Në rast të ndërprerjes së detyrës përpara mandatit qeverisës gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.
- Kohëzgjatja e mbrojtjes së personaliteteve të tjera pas lënies së detyrës nga ana e tyre, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ligji në fuqi, ruajtja e personaliteteve
Neni 4
Garda e Republikës së Shqipërisë ruan dhe mbron:
- a) Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, si dhe familjet e tyre;
- b) personalitetet e huaja, të të njëjtit nivel me personalitetet shqiptare të përmendura në shkronjën “a”, që vijnë në vendin tonë, si dhe personalitete të tjera të huaja, për të cilët Ministri i Brendshëm e vlerëson të nevojshme ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre;
- c) personalitetet shtetërore vendase, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) rezidencat presidenciale, selinë dhe zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, selinë e Këshillit të Ministrave dhe mjediset ku vendosen personalitetet e huaja, të përcaktuara në shkronjën “b” të këtij neni;
- d) banesat e personaliteteve të larta shtetërore dhe seli të tjera shtetërore, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 5
- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri ruhen dhe mbrohen edhe 3 vjet pas lirimit të tyre nga funksioni.
- Personalitetet e tjera shtetërore vendase, të cilat ruhen dhe mbrohen pas lirimit nga funksioni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, por, në çdo rast, jo më shumë se 3 vjet pas lirimit nga funksioni.
/GazetaReforma.com/