“Djali im mund të jetë ekzekutuar për shkak të detyrës…”. Kështu të paktën pretendon Martin Prela, babai i efektivit të Policisë së Shtetit, Xhulio Prela, 26-vjeçarit të vrarë gjatë natës në Lezhë.
I ati pretendon se vrasja e të birit, mund të ketë ardhur për shkak të detyrës, pasi ata nuk kanë pasur probleme të tjera.
Në një intervistë për mediat, Prela thotë se: “Takimi i fundit mes tyre ishte pak orë para vrasjes, pasi darkuam bashkë. Xhulio nuk fliste shumë për punën, kishte pasur presione, edhe më parë”.
Babai i Xhulio Prelës, që u gjet i vrarë në automjetin e tij në superstradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush, nuk ka asnjë të dyshuar se kush mund ta ketë vrarë djalin e tij, ndërsa nuk lë pa përmendur dhe disa probleme, apo presione që i riu ka pasur në punën e tij.
Martin Prela, tha se, hera e fundit që e ka takuar të birin ishte mbrëmja e të premtes, pak orë para ngjarjes, ku kanë darkuar së bashku. Aty djali i ka thënë babait itenerarin që do ndiqte.
Xhulio do të merrte në aeroportin e Rinasit një mik dhe do të kthehej, por pas atij momenti, familja Prela mori lajmin e kobshëm.
Babai i djalit thotë se, si familje nuk kanë hasmëri, por që i biri kishte disa presione për çështjet që ishin mbyllur me kohë.
“Më tha do vete më marrë një mik në Rinas, me e çu në shtëpinë e tij në Shkodër. Ai është nisur diku rreth orës 00:00 dhe më duket se nga ora 01:00 do vinte ai miku me avion. Nuk kemi dyshime te miku që ka pritur, asnjë lloj të keqe nuk njohim, nuk kemi as hasmëri.
Ai nuk fliste shumë për punën në shtëpi, mua s’më ka dhënë ndodhje shqetësim në punë, s’ma merr mendja të kishte shqetësime në punë por edhe ndoshta kush e di. Kishte disa presione për çështjet që ishin mbyllur me kohë.
Nga policia nuk ka thënë asnjë. Mua më kanë pyetur dhe të njëjtën informacion i kam dhënë, mikun që ka pritur nuk kemi asnjë lloj dyshimi, se nga ka ardhur nuk dimë gjë”,- deklaroi i ati.
Xhulio Prela, 26 vjeç efektiv i FNSH në qytetin e Shkodrës është ekzekutuar me një plumb në zemër mëngjesin e sotëm.
Autorët e vrasjes, sipas policisë, janë identifikuar dhe janë larguar nga vendngjarja me një kamion në ngjyrë të verdhë.
I riu me origjinë nga Puka, jetonte prej vitesh në Lezhë, ndërsa vazhdonte edhe studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë.
/GazetaReforma.com/