Po të mos mbante emrin e ish-diktatorit nazist të Gjermanisë ndoshta nuk do ta kishte njohur askush edhe pse ai konsiderohet tashmë si një politikan me peshë në vendin e tij.
Është fjala për politikanin namibian të quajtur me emrin Adolf Hitler Uunona, i cili thotë se ai nuk ka plane për të “dominuar botën”, pasi korri një fitore të madhe në zgjedhjet lokale.
Adolf Hitler Uunona u zgjodh javën e kaluar si këshilltar për zonën elektorale të Ompundja.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, ai këmbënguli se nuk kishte “asgjë të përbashkët” me ideologjinë naziste.
Adolf, si emrat e tjerë të parë gjermanikë, nuk është e pazakontë në vend, i cili dikur ishte një koloni gjermane.
Ai u zgjodh për partinë qeverisëse Swapo, e cila udhëhoqi fushatën kundër sundimit kolonial dhe të pakicave të bardha.
Uunona pranoi se, babai i tij e kishte quajtur atë me emrin e liderit nazist, por tha “ai ndoshta nuk e kuptonte atë që përfaqësonte Adolf Hitler”.
“Kur isha fëmijë më dukej një emër krejtësisht normal”,- tha z. Uunona, i cili fitoi vendin e tij me 85% të votave.
“Vetëm kur u rrita e kuptova: Ky njeri donte të nënshtronte të gjithë botën”,- tha ai, duke shtuar. “Unë nuk kam të bëj fare me asnjë nga këto gjëra”.
Uunona tha se, gruaja e tij e quan Adolf, ai thirret me këtë emër në publik dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë atë.
Midis viteve 1884 dhe 1915, Namibia ishte pjesë e territorit gjerman të quajtur Afrika Jugperëndimore Gjermane.
Perandoria Gjermane vrau mijëra njerëz gjatë një revolte në vitet 1904 – 1908, nga popullsia vendase Nama, Herero dhe San, në atë që disa historianë e kanë quajtur “gjenocidi i harruar”.
Më parë këtë vit, Namibia refuzoi një ofertë prej 10 milion eurosh nga Gjermania për dëmshpërblime, duke thënë se, do të vazhdonte të negocionte për një “ofertë të rishikuar”.
Pas Luftës së Parë Botërore, Namibia u vu nën kontrollin e Afrikës së Jugut dhe fitoi pavarësinë në 1990. Por ajo ende ka shumë qytete të emërtuara nga Gjermania dhe një komunitet të vogël gjermanofolës.
/Burimi: BILD/Përshtati: GazetaReforma.com/