Kërkimet për të nuk reshtën sidomos nga familjarët, të cilët duket se u përgatitën edhe për më të keqen…
Sipas tyre ai kishte dalë për të gjuajtur për oktapod, pasi ishte edhe i pasionuar, por duket se oktapodi i ka “marrë jetën”.
U deshën plot 7 ditë që zhytësi amator Silvi Prifti, 32 vjeç nga Durrësi të gjendej i vdekur, pasi u raportua i zhdukur nga familjarët e tij.
Sipas njoftimit të Policisë, trupi i Priftit, është gjetur mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:35, në lagjen nr.1 në Durrës.
32-vjeçari u zhduk ditën e 28 nëntorit. Atë mëngjes ai u largua nga banesa e tij për të peshkuar oktapodë, me pushkë deti në zonën e Currilave dhe nuk u kthye më në shtëpi.
Sipas familjarëve, i riu i kishte njoftuar se do të shkonte me miqtë e tij për të gjuajtur. Xhaxhai i tij, me lot në sy, bënte apel para mediave që të mos ndaleshin kërkimet për nipin e tij.
Njoftimi nga policia:
“Më datë 04.12.2020, në orën 07:35, në lagjen nr.1, Durrës, është gjetur i mbytur në breg të detit një shtetas i seksit mashkull. Nga hetimet paraprake dyshohet se është shtetasi S. P., 32 vjeç, për të cilin familjarët kishin bërë denoncim në datën 28.11.2020, pasi ishte futur në det për të peshkuar, dhe kishte humbur kontaktet me familjen. Për këtë shtetas janë ushtruar kontrrolle të vazhdueshme për 7 ditë nga palombarët dhe Forcat Detare. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes”.
/GazetaReforma.com/