Propozimi për draftin e ri të Kodit Penal i cili ka kaluar për shqyrtim nga Ministria e Drejtësisë tek Komisionet Parlamentare, ndalon me ligj montazhet pamjeve të një personi pa pëlqimin e tij, ose siç njihen ndryshe si “Meme”.
Mesa duket qeveria nuk ka të ndalur me censurimet, pas mbylljes së portalit JOQ Albania, qeveria synon edhe ndalimin e plotë të memeve në rrjetet sociale me personazhet politikë apo publik dhe jo vetëm.
Bëhet me dije se ky projekt që është hartuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj parashikon dënimin me deri në 1 vit burg të kujtdo që realizon këto montime.
Konkretisht në nenin 238 të ligjit thuhet se:
- Publikimi në cdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.
- Ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj.
Zbërthimi i këtij ligji të mbiveshur me terminologji, është i thjeshtë. Qeveria ka në plan të kalojë në Kuvend në ligj, i cili do të dënojë me burg çdo njeri që guxon të bëjë meme në rrjet.
Pa argumentuar me asnjë arsye nevojën e këtij ligji, e pa ndarë ligjërisht faktin se a e shkel ky nen të drejtën dhe lirinë e shprehjes, qeveria do të bëjë një ligj, ku të gjithë krijuesit e memeve do të duhet të marrin leje në qeveri, përpara se t’i publikojnë, në të kundërt ndëshkohen me burg./GazetaReforma.com/