Skip to content
Të Gjitha

Familja Schumacher nuk i ndahet ‘Formula 1’/ Djali i ish-kampionit firmos me skuderinë…

· 2 min lexim

Hera e fundit që kampioni legjendat i “Formula 1”, gjermani Michael Schumacher, garonte në pistën e makinave ishte në 2012-ën, ndërsa tani thuajse 9 vite më vonë, do të jeta radha e një tjetër pinjolli të kësaj familjeje që të provojë të regjistrojë të njëjtat suksese.

Skuderia “Haas” ka njoftuar se ka nënshkruar me Mick Schumacher, djalin 22-vjeçar të ish-kampionit të botës, për sezonin e ri të “Formula 1”.

Djali i ish-pilotit Michael u shpall kampion në “F2” dhe do të garojë së bashku me pilotin rus Mazepin.

Ardhja e Schumi jr. në botën e “Formula1” ishte përcaktuar disa kohë më parë dhe “Ferrari” ka një dorë në promovimin e tij, duke qenë se “Haas” është në orbitën e Maranello-s dhe Schumacher është pjesë e akademisë “Cavallino”.

“Falënderoj Ferrarin që ka pasur gjithmonë besim në aftësitë e mia dhe më ka mbështetur e krijuar kushtet që të shprehem më së miri në pistë. Kam qenë gjithmonë i bindur që një ditë do të garoj në Formula 1 dhe jam shumë i lumtur që bëj ëndrrën realitet”,- tha Mick Schumacher.

Edhe drejtuesi i skuadrës “Ferrari”, Mattia Binotto nuk e fshehu kënaqësinë që tashmë gjermani do të garojë zyrtarisht në “Formulën 1” dhe theksoi se te “Haas”, 22-vjeçari do të ketë mundësinë të rritet gradualisht me shpresën që një ditë të drejtojë “kokëkuqen” italiane.

“Jam shumë i lumtur të njoftoj se Mick Schumacher do të debutojë sezonin e ardhshëm në ‘Formula 1’, duke drejtuar një makinë të një skuadre në partneritet të fortë me ‘Ferrarin’. Te skuadra amerikane Mick do të ketë mundësinë të rritet pa presion dhe i mbështetur vazhdimisht nga Ferrari Driver Academy”.

/GazetaReforma.com/