Kur të gjithë mendonin se ora policore e vendosur tre javë më parë do të merrte fund sot dhe gjërat do t’i ktheheshin “normalitetit”, planet kanë ndryshuar…
Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje të tijën sot, vendosi të lërë në fuqi masat kufizuese kundër koronavirusit që ishin deri më sot, 2 dhjetor.
Lajmi është bërë i ditur nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila theksoi se, do të vijojnë “ora policore” 22:00 me 06:00, ndalimi i grumbullimeve, tubimeve e mitingjeve politike, ceremonive festive dhe atyre mortore.
Sipas numrit dy të shëndetësisë, këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat.
“Komiteti i Ekspertëve mori vendimin unanim për t’i vijuar këto masa. Ndalohen tubimet, konferencat, ceremonitë e festave dhe ato mortore. Do vazhdojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
Do të kufizohet në këto orare edhe puna në Fast-Food. Universitetet do të vazhdojnë online, administrata do të punojë online, ndërsa shkollat me mësim të alternuar. Këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat”,- tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Kjo do të thotë se:
– Do të vazhdojë kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 – 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.
– Ndalohen aktivitetet e bareve – restoranteve nga ora 22:00 – 06:00 (përveç shërbimit delivery).
– Smart-ëorking për administratën publike (sipas specifikës së sektorit) në zbatim të protokolleve të sigurisë. Përjashtim bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë. Komiteti rekomandon për administratën publike punën nga shtëpia.
– Ndalohen grumbullimet me më tepër se 10 persona.
– Universitetet vazhdojnë online, kurse për arsimin parauniversitar do ketë mësim të alternuar.
– Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi ndalimin e mbledhjeve partiake dhe tubimet.
– Ndalohen konferencat, ceremonitë e festave dhe ceremonitë martesore. Ndërsa për ceremonitë mortore lejohet vetëm familja.
/GazetaReforma.com/