Është tërhequr nga kandidimi për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Ai është shprehur se ka detyrim Kushtetues për të drejtuar Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë, pasi është anëtar dhe kryetar i këtij institucioni.
“Kam detyrime kushtetuese për të drejtuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Konsideroj si prioritare drejtimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tërheqja është e parevokueshme”– ka thënë Dvorani.
Kujtojmë se Ardian Dvorani është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) duke kaluar filtrin e vettingut. Rikonfirmimi i tij në detyrë është kundërshtuar nga PD që thotë se Kushtetuta përcakton se anëtari i Gjykatës së Lartë e ka mandatin 9 vite, ndërsa Dvorani është i vetmi anëtar në historinë e saj që ka 13 vite në atë post.
Ardian Dvorani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Lartë, po ushtron detyrën edhe pse në përfundim të mandatit kushtetues prej tri vitesh, por sipas ligjit mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij nga një anëtar tjetër.
Sipas Kushtetutës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët duhet të plotësojnë një sërë kushtesh, dhe që shërbejnë vetëm për një vit pa të drejtë rizgjedhje të njëpasnjëshme. Nga 9 vende, njëri është i rezervuar për një gjyqtar nga Gjykata e Lartë.
Njoftimi i Plotë i KED-së
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), zhvilloi mbledhjen e tij të rradhës, ku në rendin e ditës ishte diskutimi dhe miratimi i Projektrregullores së Brendshme, për organizimin dhe funksionimin e KED-së. Këshilli, i angazhuar maksimalisht për të përmbushur detyrimet e tij kushtetuese, diskutoi dhe miratoi një pjesë të dispozitave të projektaktit. Vijimi i diskutimit dhe miratimit të projektrregullores do të vijojë në mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet, ditën e premte, në datën 01.02.2019 ora 10.00. Në fillim të mbledhjes së ditës së sotme, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, zoti Ardian Dvorani, i njoftoi Këshillit vullnetin e tij për tërheqjen nga kandidimi për postin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese