I konsideruar si “Ylli i muzikës greke”, këngëtari mjaftë i njohur Notis Sfakianakis, i cili ka edhe shumë fansa shqiptar, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në periferi të Athinës.
Atij ju vunë prangat nga policia pasi gjatë një kontrolli rutinë në makinë i’u gjetën 2 gr. kokainë dhe një pistoletë, për të cilën këngëtari pretendon se e kishte me leje.
Sipas mediave greke, arrestimi i këngëtarit u bë rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme në Athinë, kur policia gjatë kontrolleve rutinë për masat anti-covid, ndaloi rastësisht një makinë luksoze, pa e ditur se në të ishte këngëtari i madh.
Policia e ndaloi automjetin luksoz “Range Rover”, me të cilin po lëvizte këngëtari.
I qetë dhe pa bërë asnjë reagim paniku, ylli i muzikës hapi krahun dhe iu bind urdhrit të efektivëve. Ai dorëzoi dokumentet e makinës por njëri prej policëve pikasi me sy një qese në sediljen e pasme të makinës dhe i kërkoi këngëtarit që ta hapte.
“Hape qesen…”,- mësohet të ketë thënë polici, fjali që ka “fundosur” yllin e muzikës. Kontrolli i qeses, zbuloi armën dhe dy gramë kokainë. Mëngjesin e sotëm, Notis Sfakianakis, pritet të dërgohet në prokurori. Paraprakisht për armën, Sfakianakis është shprehur se e mban për sigurinë e tij.
“Unë e kam për sigurinë time. Armën e kam me vete sepse jam në rrezik. Dokumetët e licencës kishin skaduar dhe nuk ishin rinovuar”,- ka thënë Notis Sfakianakis.
Sot këngëtari pritet që të përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe të posedimit të lëndëve narkotike.
Zyra ligjore e Alexis Kougia, e cila ka marrë në mbrojtje këngëtarin Notis Sfakianakis, është shprehur se, pistoleta me kalibër 9 mm ishte e poseduar ligjërisht prej këngëtarit, por i kishte skaduar licenca.
Zyra e avokatisë shton më tej se, Sfakianakis nuk e kishte rinovuar lejen për mbajtjen e armës, për shkak të situatës së koronavirusit dhe mbylljeve të herëpashershme.
Ndërsa, përsa i përket sasisë së kokainës, avokati tha se, ajo nuk është e këngëtarit, por e dikujt tjetër.
Gjatë ndalimit shkruajnë mediat greke, këngëtari ishte shumë bashkëpunues me policinë.
Por menjëherë, policia e vuri në pranga dhe e çoi në Stacionin e Policisë Argyroupolis dhe prej andej në Departamentin e Sigurisë Vouliagmeni, ku kaloi natën, pasi nuk kishte asnjë ambient paraburgimi në dispozicion në Argyroupoli.
Kundër tij u ngrit një çështje për posedim të drogës, armëmbajtje pa leje dhe sot ai po çohet në prokurori.
Njoftimi i avokatëve të këngëtarit në detaje:
“Firma jonë e avokatisë ndërmori mbrojtjen e këngëtarit grek Notis Sfakianakis.
Siç raportohet në media, z. Sfakianakis akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të një sasie të vogël droge.
Akuza për mbajtjen e një arme zjarri iu atribua arsyeve formale, sepse licenca për të poseduar legalisht një armë të vogël me kalibër 9 mm, e cila nuk ishte rinovuar për shkak të koronavirusit, kishte skaduar.
Ai e zotëronte këtë armë për dekada për sigurinë e tij personale për shkak të veçorisë së profesionit të tij dhe orëve që punonte dhe parave që mbart, pasi shumë prej kolegëve të tij kanë rënë viktima të grabitjeve dhe rasteve të rrezikshme.
Lidhur me sasinë e vogël të drogës, e cila u gjet në makinën e tij, z. Sfakianakis deklaroi se nuk ishte e tij, duke dhënë shpjegime të plota për të”.
/Burimi: ekathimerini.com/ GazetaReforma.com/