Një ditë pas mbledhjes në Drejtorinë e Policisë Berat, Lleshaj ka pezulluar nga detyra 5 zyrtarë të policisë. Arsyeja e ndëshkimit është se nuk kanë zbatuar detyrën në lidhje me kontrollin e territorit në luftën ndaj kanabisit.
Ky vendim vjen një ditë pas vizitës së ministrit Lleshaj me drejtuesit e kupolës policore të Beratit dhe shkak për të është bërë gjetja e disa parcelave me kanabis në zonë.
Ndër personat e pezulluar është shefi i stacionit policor të Poliçanit, shefi i komisariatit të Skraparit, një inspektor zone dhe dy efektivë.
Ndaj tyre tashmë ka nisur edhe hetim disiplinor. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit janë marrë masa disiplinore për 15 efektivë vetëm në qarkun e Beratit.
Pas takimit, ministri Lleshaj, në një prononcim për mediat ditën e djeshme, deklaroi se probleme të shtuara janë hasur në zonën e Skraparit, ku ka pasur mjaft raste të kultivimit të narkotikëve.
“Probleme të shtuara në lidhje me këtë fenomen të kultivimit të narkotikëve kemi pasur në zonën e Skraparit dhe këto probleme janë evidentuar nga DPV-ja e Beratit dhe jo nga Komisariati i Policisë Skrapar. Ne kemi vërejtje për efektivët e policisë Skrapar, ku kemi dhënë vërejtje pasi ka pasur implikime në nivele të ndryshme,”- ka thënë Lleshaj. Në një analizë të bërë dje, Zëri i Amerikës raportonte se Ministria e Brendshme ka dështuar me Planin Kombëtar kundër kultivimit të kanabisit. Plantacionet me kanabis kanë ardur duke u shtuar si në jug edhe në veri.
/GazetaReforma.com/