Shkodra tronditet nga një shpërthim i fuqishëm tritoli. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, duke alarmuar qytetarët, sidomos punonjësit e një fabrike që ndodhet aty pranë, në lagjen Skënderbeg.
Sipas burimeve, shpërthimi ka ndodhur në një lokal në afërsi të një fasonerie. Forcat e rendit po rrethojnë zonën duke filluar mbledhjen e dëshmive mbi shkaqet e kësaj ngjarje, ndërkohë që mendohet se shpërthimi është shkaktuar nga një sasi tritoli.
Lokali gjendet në kryqëzimin pranë shkollës Pyjore, dhe ka frikësuar qytetarët që ndodheshin aty pranë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Qysh nga fillimi i vitit, qyteti kishte rënë në qetësi, Në atë kohë, në janar i është vënë tritol banesës së Shefit të stacionit policor të Thethit në Shkodër, Prel Milani, në lagjen ‘Guerrile’ në qytetin verior, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.
Shpërthimi tjetër me lëndë plasëse ka ndodhur në fshatin Grude e Re në banesën e Kolë Bungaja. Tritol i është vendosur në portën hyrëse të banesës. Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale.
Ndërsa në 6 shkurt pati një shpërthim në shtëpinë e ish-basketbollistit Nikolin Arra, kur ky nuk ndodhej në shtëpi, por ndodhej në SHBA.