Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta, për kthim në Kuvend të ligjit për “Gjendjen Civile”.
Gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve, ka qenë prezent edhe përfaqësuesi ligjor dhe këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj, i cili përpara votimit, parashtroi arsyet e kthimit të ligjit.
Ndërkohë nga anëtarët e Komisionit, vetëm 1 votoi pro dekretit si dhe një anëtar abstenoi.
“Ligji, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit që nuk deklarojnë banesën, por synon të deformojë listat e zgjedhësve. Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile fshehin synimin të çekuilibrojnë numrin e mandateve për secilin qark.
Mazhoranca po përdor ndryshimet në ligje për të forcuar pozitat në zonat më pak të favorshme. Do s’postojë militantët drejt zonave ku historikisht ka qenë humbëse”, ka thënë këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj.
Ndërkohë kujtojmë se shpërndarja e mandatev është bërë ekskluzivisht mbi bazën e numrit të shtetasve që kanë regjistruar vendbanimin në secilin qark.
Sakaq ndryshimi i numrit të shtetasve me vendbanim në secilin qark mund të çojë edhe në ndryshim të përfaqësimit të secilit qark në Kuvend, nëpërmjet uljes apo rritjes së numrit të mandateve përkatës.
“Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke konsideruar ndikimin e rëndësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.
Procesi i rishikimit periodik të shpërndarjes së mandateve është thelbësisht i lidhur me regjistrimin e vendbanimit të shtetasve. Një situatë e paqëndrueshme, apo që jep hapësirë për regjistrime fiktive kaq pak kohë para zgjedhjeve.
Kjo gjë vjen pikërisht para momentit të rishikimit ligjor të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve, ku do të cënohej rëndë përfaqësimi parlamentar, procesi zgjedhor, si dhe besimi politik tek procesi zgjedhor.
Ky propozim nga deputetë të shumicës qeverisëse, dhe që nuk vjen nga ministria përgjegjëse që mbulon çështjen, në mënyrën si është formuluar për të lehtësuar lëvizjet në vijim, dhe jo për të lehtësuar qytetarët që nuk kanë deklaruar në kohë, e bërë në një situatë parazgjedhore, krijon një hapësirë më shumë për t`u keqpërdorur për qëllime politike”, ka shtuar gjatë seancës së Komisionit, këshilltari i Presidentit Meta.
Pavarësisht kundërshtisë së Dervishajt, shumica e anëtarëve të Komisionit, vendosën për rrëzimin e dekretit të Presidentit në lidhje me ligjin e “Gjendjes Civile” dhe më pas ligji do të kalojë për votim në seancën e ardhshme të Kuvendit./GazetaReforma.com/