Policia ka publikuar edhe raportin e gjobave që janë vendosur gjatë fundjavës në të gjithë Shqipërinë për shkak të masave anticovid.
Bëhet me dije se janë gjobitur 1710 qytetarë me nga 3000 lekë për shkak të mos mbajtjes së maskave.
38 persona janë gjobitur pasi janë konstatuar duke lëvizur pa arsye pas orës 22:00, ndërsa 3 persona se kanë mbajtur hapur lokalin pas orës 22:00.
Gjithashtu janë gjobitur edhe 10 pronarë lokalësh pasi kanë pasur muzikë pas orës 20:00.
Policia e Shtetit
Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid.
Ndëshkohen me masë administrative, 1710 qytetarë dhe 10 administratorë lokalesh që u konstatuan duke mos i respektuar këto masa gjatë fundjavës.
Masë administrative edhe për 38 qytetarë dhe 3 subjekte që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1710 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 10 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë, për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 3 subjekte ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 38 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.