Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg përjetë Erdet Çapokun, i cili është shpallur faktor për vrasjen e kunatës së tij nëntë muaj më parë në Paskuqan. Referuar vendimit gjyqësor të siguruar nga A2, rezulton se e ndjera Enkeleda Çapoku jetonte me vajzën e mitur, ndërkohë që kishte marrë një urdhër-mbrojtje pasi kunati e gjurmonte prej kohësh. Sipas denoncimit të bërë nga e ndjera, Çapoku, e gjurmonte këmba-këmbës, i bënte foto dhe video, pasi pretendonte se e reja ishte “amaneti” që i kishte lënë vëllai për t’u kujdesur, deri sa të dilte nga burgu.
Para togave të zeza, Çapoku ka pranuar krimin dhe shfaqur pendesë, duke shtuar se e kishte marrë inat kunatës duke nisur nga momenti që ajo e kishte denoncuar në Polici për përndjekje.
“Unë kisha investuar tërë lekët e mia për të rritur mbesën e të ushqehej Enkeleda. Sa herë që ajo më kërkonte lekë, unë ia jepja dhe shkoja mirë me të, por pasi ajo u betua se do më fuste në burg, edhe unë u betova që ta vrisja sepse më kishte marrë tërë lekët e punës sime. Nuk kisha asnjë faj,”- tha Çapoku.
Enkeleda Çapoku u vra 9 muaj më parënga kunati i saj në dhomën ku flinte me vajzën dhe nënën, në zonën e Paskuqanit në Tiranë. Ai ka hyrë me dhunë në shtëpinë ku banonte Enkeleda me një shkop dhe një thikë me vete. Pasi ka hyrë në banesë, autori ka thyer edhe derën e dhomës ku flinin Enkeleda, nëna dhe vajza e Enkeldës dhe është konfliktuar me këtë të fundit. Nëna është futur në mes por nuk ia ka dalë dot të parandalojë ngjarjen e rëndë.