Trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja nuk ka dalë plotësisht i kënaqur nga fitorja me Kazakistanin.
Reja thotë se gjithmonë kush fiton është i lumtur, por ai shton se grupi i lojtarëve ka më shumë kapacitete dhe sot mund të shënonte më shumë.
Po ashtu ai ankohet edhe për terrenin e stadiumit ”Air Albania” duke thënë se nuk e kupton se si kombëtarja shqiptare nuk bën paraqitje të mira këtu ndërkohë që në Elbasan luan mjaft mirë.
”Patën një 5 minutësh të fortë. Mu duk sikur e nisëm në gjumë ndeshjen. Më pas bëmë 20 minuta të mira por pësuam një gol të çuditshëm që na kushtëzoi. Ata ishin më të fortë fizikisht.
Në mesfushë nuk po arrinim t’i përmbanim në disa raste. Diferencat në goditje dënimi e standarde e të tjera ata kishin më shumë centimetra se ne. Gjithsesi patëm disa raste, me Hysajn, uzunin, mund të kishim shënuar e të krijonim një diferencë.
Kur fitojmë jemi të lumtur patjetër, por nuk jam plotësisht i kënaqur. E them sepse e di që kjo skuadër mund të bëjë shumë më shumë, ka kapacitete të mëdha.
Nuk e di çfarë ndodh në këtë stadium që s’bëjmë paraqitje të mira, kemi bërë mirë në Elbasan, kurse këtu nuk bëjmë paraqitje të bukura.
Fusha ka pak probleme, stadiumi është i bukur. ”- tha Reja.