Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u përballur me pandeminë e Covid-19. Ka premtuar se 182 milionë euro do të jetë vlera e Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike për vitin tjetër. Sot Kosova ka shënuar 13 viktima dhe 501 raste të reja me koronavirus.
Qeveria e Kosovës për vitin e ardhshëm planifikon të tjera fonde për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, se deri në 182 milionë euro do të jetë vlera e Fondit për Rimëkëmbje e që do të shtohet nga burimet e jashtme.
“Do të vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm me fondin për rimëkëmbje, i cili është paraparë fillimisht në shumë prej 182 milionë euro, por që do të rritet me burime të tjera të jashtme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Qeveria ka premtuar mbështetje edhe për bizneset.
“Bizneset dhe punëtorët që janë prekur nga kjo situatë nuk janë vetëm. Shteti i Kosovës do t’u ndihmojë në tejkalimin e situatës, siç ka bërë duke ndihmuar bizneset, punëtorët, bujqit, gratë në biznes, komunitetet jo shumicë, familjet në asistentë sociale dhe të tjerët përmes Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike prej 365 milionë euro”.
Të njëjtat premtime i ka bërë publike kryeministri Avdullah Hoti edhe në profilin e tij në Facebook, vetëm shefi i qeverisë ka përmendur edhe punën që po bëhet aktualisht për ta luftuar COVID-19.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu përballur me COVID-19: 1. Në QKUK në Prishtinë dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor: a) Është organizuar orari i stafit shëndetësor në përputhje me numrin e pacientëve që mund të paraqiten në spitale, b) Janë bërë planet operacionale të Klinikave në QKUK për të ofruar shërbime emergjente sipas prioriteteve, c) Janë rritur kapacitetet me shtretër, d) Janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen të lëngshëm, e) Është funksionalizuar Mjekësia Sportive ku janë fituar edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19, f) Janë rritur kapacitetet për respiratorë duke shfrytëzuar hapësirat e Klinikës Endokrine që afërsi të Mjekimit Intensiv Qendror” ka thënë mes tjerash Hoti.
Ai ka thënë se instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po bënë një punë kolosale.
“Megjithatë, situata me COVID-19 është e rëndë, ngjashëm siç është në rajon dhe në BE. Të gjithë duhet të ndihmojmë mjekët dhe infermierët tanë të përballen me këtë gjendje duke respektuar masat e propozuara nga IKSHP, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Të gjithë ata që janë prekur nga COVID-19 nuk janë vetëm në këtë situatë. Stafi shëndetësor dhe institucionet e tjera janë në mbështetje të tyre”.
Të mërkurën e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 501 raste të reja me koronavirus
Rezultatet janë në bazë të 1361 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 1 3 pacientë.
Sipas të dhënave gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 250 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.990.
Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti, në Kosovë janë infektuar 29.117 persona, prej të cilëve 17.305 janë shëruar ndërsa 822 kanë vdekur./Monitor/