Policia e Korçës vazhdon të godasë raste të trafikut të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ditën e sotme policia ka arrestuar katër shtetas Limon Selimi, Rigels Hudhri, Skënder Gjymenga dhe Arben Korumi.Ata ishin ndarë në tri automjete, ku kishin të fshehur gjashtë klandestinë të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Policia, gjatë kontrollit, zbuloi edhe se Limon Selimi e Skënder Gjymenga drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Njoftimi i policisë
Qarku Korçë
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
U kapën duke transportuar kundrejt fitimit 6 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas.
Dy prej të arrestuarve, drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
L. S., 50 vjeç; R. H., 22 vjeç; A. K., 49 vjeç, banues në Elbasan dhe S. Gj., 35 vjeç, banues në Librazhd.
Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, në afërsi të fshatit Dardhas, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me tre automjete, 6 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Nga verifikimi i dokumentacionit të tyre rezultoi se shtetasit L. S., dhe S. Gj., drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.