Ditët e ftohta, temperaturat e ulta dhe reshjet e borës kanë shkaktuar jo pak probleme, ku momentalisht njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult në Shkodër janë duke kaluar një situatë shumë të vështirë.
Bëhet fjalë për tre zona tërësisht të bllokuara nga bora, prej nga 30 banorë, ndër të cilët 6 gra dhe 2 fëmijë janë përpjekur që të ecin me këmbë për orë të tëra në të ftohtë për të dalë në rrugën kryesore dhe për t’i shpëtuar të ftohtit.
Rrugët e të tre njësive janë thuajse të pakalueshme dhe njëri prej banorëve, Flor Çuku thotë se i është dashur të ecë 14 orë në këmbë bashkë me të vëllain për të shkuar në Shosh, por nuk ka mundur të arrijë në vendin e caktuar.
Apeli më i madh i drejtohet qeverisë dhe banorët kërkojnë me ngulm që minimalisht t’ju hapet rruga dhe ata thonë se në rast se gjendja vazhdon e tillë, asnjë politikan të mos kërkojë votë nga banorët e Dukagjinit.
Janë rreth 300 familje në njësitë administrative Shalë dhe Shosh, të cilat me rifillimin e reshjeve të dëborës janë izoluar sërish dhe bëjnë thirrje për ndihmë.