Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, kërkon ulje të një tarife doganore. Jo për ndonjë medikament që duhet për të luftuar Covid, por për një mjet luksi. Ai i bashkohet ministrave Belinda Balluku dhe Blendi Klosi, me nisma ligjore në fushën e jahteve dhe gomoneve.
Gomonet
Propozimi i tij i parë është ndryshimi i tarifave doganore për importin e gomoneve dhe jahteve nga 15 për qind në 2 për qind. Meqenëse të gjitha mjetet detare anijet, jahtet prek metali, mjetet turistike, mjetet e peshkimit, e kanë tarifën doganore 2%, atëherë duhet hequt diskriminimi që u bëhet mjeteve ujore të fryra me ajër dhe gaz (gomonet). Në tabelën e tarifave doganore kjo njësi quhet “mjetet e tjera ujore për kënaqësi dhe sporte, të fryra me ajër ose me gaz.” Këtu ka dy kode nënkategori mallrash, njëra është “mjetet që peshojnë jo më shumë se 100 kg” dhe “Të tjera”. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin për miratimin e niveleve të tarifave doganore”, i propozuar nga Beqja është në procedurë dhe pritet shumë shpejt të miratohet.
Kapitenët e huaj
Duke qenë deputet socialist, Beqja e ka të trashëguar internaciononalizmin, që sot quhet globalizëm. Në këtë frymë ai propozon një projektligj tjetër, për të ndryshuar Kodin Detar. Këtu kërkohet të shfuqizohet një nen i cili përcakton se mjetet detare me flamur shqiptar duhet të kenë kapiten me shtetësi shqiptare. Pra me ndryshimin e kërkuar i hapet rruga pronarëve të jahteve dhe anijeve turistike shqiptare të marrin kapitenë të huaj. Sipas Beqjes, Shqipëria nuk ka shkolla dhe kapacitete për formimin e këtyre kapitenëve. Në fakt, ky ndryshim do të lërë pa punë dhjetëra të rinj që mbarojnë shkollat e detarisë, (kemi dy universitete private në Shqipëri), pa llogaritur kurset që licensojnë kapitenë dhe ata që mbarojnë shkollat e huaja.
Këto dy kontribute të Beqjes i shtohen atyre të Belinda Ballukut dhe Blendi Klosit, që gjetën kohën në mes të pandemisë dhe kanë bërë ligje për heqjen e TVSH-së për jahteve të importuara, po ashtu u hartua nga e para ligji për regjistrimin e mjeteve detare, për të lehtësuar pronarët e jahteve luksoze.
/TPZ.al/