Për 4 muaj rresht, punimet tek rrethrrotullimi i Shqiponjës do të bllokojnë hyrjen kryesore të Tiranës. Kaosi në trafik është paralajmëruar nga drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, i cili sugjeron që makinat të përdorin Elbasanin dhe Ndroqin për të hyrë në Tiranë. Nga kjo e hënë do të nisë edhe devijimi i trafikut.
Si do të qarkullojnë makinat?
Verdho ka prezantuar planin sesi do të bëhet qarkullimi i mjeteve pas bllokimit të rrugës që të çon deri të rrethrrotullimi i Shqiponjës, për shkak të punimeve për Lotin III.
Duke folur për gazetarët, Verdho tha se mjetet që vijnë nga jugu duhet të përdorin rrugën Elbasan-Tiranë, ndërsa ato që vijnë nga Kavaja, duhet të përdorin rrugën e Ndroqit. “Këtojanë punimet për Lotin e III, punimet më të rëndësishme”, deklaroi Verdho.
Për ambulancat është menduar të krijohet një rrugë e vogël.
“Do të krijojmë një rrugë aksesi vetëm për to, në bashkëpunim me policinë. Drejtuesit që vijnë nga jugu të zgjedhin aksin Elbasan-Tiranë, kurse ata që vijnë nga Kavaja të zgjedhin Ndroqin. Sepse koha e pritjes te dogana do jetë më e lartë se gjithë rruga e tyre”, tha drejtori i ARRSH.
Puna për ndërtimin e Lotit të III do të zgjasë 3 deri në 4 muaj. “Nëse me tre turne do të kemi rezultate të mira dhe 3-4 muaj do ja dalim ta mbyllim Lotin III”,- deklaroi Ergys Verdho.
Qytetarët që do të dalin nga kryeqyteti do të devijojnë nga rruga për nga spitali Ushtarak. Ndërsa ata që do të futen në Tiranë do të hyjnë nëpërmjet rrugës nga “Astiri”.
“Drejtimi qarkullimit të mjeteve nga segmenti “Dritan Hoxha” për në rrugën “29 Nëntori” nuk do jetë më sipas rrethrrotullimit, deri në fazën III kur rrethrrotullimi hiqet.
Do kemi një devijim të vogël në të djathtë në rrugën në rrugën dytësore, të gjithë e njohin si Raiffeisen Bank. Është bërë mbushja në aksin kryesor të trupit të rrugës për të mundësuar këtë devijim të lehtë, në drejtim të rrugës “29 Nëntori”, që është dalja për në Durrës.
Për të gjithë ata që qarkullojnë nga drejtimi i Durrësit në drejtim të Tiranës do jetë i njëjti plan qarkullimi deri në sheshin “Shqiponja”, duke marr devijimin në të djathtë për pjesën e Pallatit me Shigjeta.
Për ata që duan të aksesojnë rrugën “Dritan Hoxha” do aksesohen në semaforin e rrugës “Abedin Rexha” e cila të nxjerr në pjesën e zonës së Helikopterëve dhe me tre rrugët dytësore aksesohen në rrugën “Dritan Hoxha”, tha Verdho duke treguar se si qarkullimi i kryeqytetit do të futet rrugicave të lagjeve.
“Qarkullimi i mjeteve nga rruga “Teodor Keko” për tek rruga “Dritan Hoxha” do bëhet po përmes rrugës “Abedin Rexha”. Pjesa e automjeteve që vjen nga Veriu i vendit do të aksesohet nga ana e urës së Babrroit për të dyja drejtimet”, shpjegoi Ergys Verdho.
Vjedhja e tenderit dhe vonesa e punimeve
Kështu, këta zyrtarë, pasi kanë humbur kohë me tenderin korruptiv dhe duke prishur shtëpitë e banorëve nëpër Unazën e Madhe, u kujtuan të punojnë dhe ta bëjnë gati objektin për fushatën elektorale.
Me bllokimin nga prokuroria të tenderit të fituar nga kompania guaskë DH Albania për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” u krijua vonesa e parë për ndërtimin e objektit. NDËRKOHË, Qeveria dhe bashkia nuk ju jepnin asnjë zgjidhje protestave të banorëve, të cilëve iu prisheshin shtëpitë nga projekti. Paraardhësi i Verdhos, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro u shkarkua dhe u hetua për korrupsion, për tenderin e falsifikuar, me një vlerë prej gati 18 milionë euro.
Vonesa tjetër u shkaktua nga qeveria për t’ia dhënë tenderin një kompanie tjetër që është kliente e kryeministrit Rama. Madje u ndryshua edhe projekti i Mbikalimit Shqiponja, me qëllim që të fitonte garën kjo kompani.
Nga ndryshimi i projektit, kosto totale e mbikalimit është 2 miliard e 695,7 milion e lekë dhe sipas qeverisë po t’i zbresësh vlerën e TVSH dhe rezervën e fondeve, shuma është përafërt me tenderin e parë që u anulua nga prokuroria.
Ashtu siç ka ndodhur në projekte të tjera, si ai rrugës së Elbasanit, nuk është çudi, që projekti të ndryshojë sërish, për abuzime të reja. Pra, afati i vendosur për 4 muaj bllokim të trafikut, mund të jetë edhe më i gjatë.
/GazetaReforma.com/