Frika dhe rrudhja e shpenzimeve nga ana e shqiptarëve prej pandemisë së koronavirusit bëri që në të njëjtën mënyrë të “rrudhen” edhe aplikimet për karta krediti.
Mbyllja e ekonomisë nga pandemia, solli për herë të parë, në më shumë se 15 vjet, rënien e numrit të aplikimeve për karta të kreditit.
Edhe pse në gjithë botën blerjet online njohën një bum gjatë kohës së pandemisë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në fund të 3-mujorit të dytë, numri i kartave aktive të kreditit zbriti në më pak se 113 mijë.
Periudha e lidhur me krizën e Covid-19, është hera e parë që numri i kartave të kreditit shënon rënie. Numri i tyre ka qenë në rritje prej 15 vitesh, edhe për shkak të një zhvillimi të vonuar krahasuar me tregjet e tjerë dhe një bazë të ulët përdorimi.
Nga marsi deri në qershor, numri i kartave ra me rreth 2200 njësi. Ndërkohë, ritmi i rritjes vjetore të numrit të kartave të kreditit ra në 3.1%, ndërsa në fund të vitit të kaluar, rritja kishte qenë 7.9%.
Pandemia në fakt solli sensibilizimin e konsumatorëve drejt përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, por mbyllja dhe kufizimi i shumë aktiviteteve ekonomike, e ndikoi në tërësi numrin dhe volumin e veprimeve me karta.
Përdorimi i kartave
Kartat e kreditit janë një produkt që e kanë ndier më shumë efektin e mbylljes së ekonomisë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet.
Paralizimi i lëvizjeve ndërkufitare, ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar si të domosdoshme në këtë periudhë.
Rënia e numrit të kartave të kreditit mund të interpretohet edhe në kontekstin e rënies së kredisë konsumatore në tërësi. Mbyllja e ekonomisë, por edhe rritja e papunësisë dhe pasiguria e lartë, ka sjellë rënie të konsumit dhe të kërkesës për kredi konsumatore.
Për periudhën mes marsi dhe korrik, vlera e overdrafteve të tërhequra nga individët ka rënë me rreth 4.2 milionë euro, ndërsa portofoli i kredisë konsumatore ka rënë me rreth 4.8 milionë euro, rënie e konsiderueshme po të kemi parasysh shtyrjen e pagesës së kësteve, që e ka ngadalësuar ndjeshëm amortizimin normal të portofolit.
Megjithatë, pas muajit gusht, shifrat tregojnë një përmirësim të lehtë në tepricën e përdorur të overdrafteve dhe të kredisë konsumatore.
Të dhënat e fundit të disponueshme për kartat e kreditit janë në qershor.
Nëse tendenca do të jetë e ngjashme me produktet e kredisë konsumatore, ka të ngjarë që edhe kartat te kreditit ta kenë tejkaluar momentin më negativ dhe ti jenë kthyen rritjes gjatë sezonit veror.
/Burimi: Monitor.al/Përshtati: GazetaReforma.com/