Vendimi i qeverisë javën që kaloi, i cili bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në hapësira publike dhe ambiente të hapura, solli edhe reagime në opinionin publik, mes të cilëve pati edhe kundërshtime për këtë vendim.
Në lidhje me mbajtjen e maskave, ka reaguar edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
I ftuar në Report Tv, Brataj tha se maska është shumë e rëndësishme, ndërsa shtoi se nuk duhen përdorur maskat me valvul, pasi nëse një person i infektuar nxjerr ajrin nga këto maska, ky ajër nuk kalon në filtra dhe bëhet burim infeksioni për të tjerët.
“Ne kami patur një ulje të vdekshmërisë. Maska nuk mund të bëjë dëm. Maskat më të mira mund t’i gjesh. Maskat me valvula nuk duhen përdorur. Ato janë bërë për ambientet me pluhura dhe janë për personel profesional. Ato janë për personel profesional.
Unë jam mjek dhe punoj brenda në një repart me të infektuar me COVID dhe nuk kam se çfarë e infektoj atë. Maska me valvul më lejon që kur marr frymë, ajri kalon përmes filtrave, ndërsa kur nxjerr ajrin, valvula hapet dhe ajri nuk kalon përmes filtrave.
Po ta kem jashtë maskën në një ambient të jashtëm, kur nxjerr ajrin, nëse jam i infektuar do ta nxjerr ashtu të infektuar pasi ajo nuk kalon tek filtrat. Maskat profesionale bëjnë filtrimin si në hyrje ashtu edhe në dalje”, është shprehur Brataj./GazetaReforma.com/