Kreu i Lëvizjes Qytetare URA në Malin e Zi , Dritan Abazoviç, i intervistuar nga media lokale Vijesti ka komentuar lidhur me krijimin e qeverisë së re.
Abazoviç është shprehur i kënaqur me përparësinë që është bërë lidhur me formimin e institucioneve të reja qeveritare të Malit të Zi.
“Shpresoj se dinamika e vendosur nga kryeministri i mandatuar do të respektohet”, pohoi politikani shqiptar.
Në një fjalim para parlamentit të Malit të zi Abazoviç vuri theksin te sektori i sigurisë. “Ne kemi thënë që duhet të mbulojmë sektorin e sigurisë për shkak të orientimit të qartë Euro-Atlantik,” u shpreh lideri i URA.
Ai shtoi se personat që i dogjën flamujt e NATO-s, nuk duhet të ishin në Ministrinë e Mbrojtjes. “Nuk më duket logjike”, nënvizoi politikani. Abazoviç theksoi se partia e tij këmbënguli për një qeveri ekspertësh dhe se disa nga emrat e përmendur në media ishin të pranueshëm.
Dritan Abazoviç, është një nga tre kryetarët e partive opozitare malazeze, që bashkuan votat për të rrëzuar në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, pas 30 vitesh në pushtet, partinë Demokratike të Socialistëve të udhëhequr nga Milo Gjukanoviç.
34-vjeçari nxiti reagime të shumta lidhur me deklaratën e tij për prejardhjen serbe të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Më pas politikani shqiptar i pyetur se si do reagonte partia e tij nëse vendosej ne tryezë çështja e tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, u përgjigj se pavarësia e Kosovës nuk është në diskutim.
/GazetaReforma.com/