Pas deklaratës akuzuese të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, se, “Kryeministri Edi Rama po përpiqet për të krijuar ‘Shqipërinë e madhe’”, ka reaguar ndaj kësaj deklarate kreu i qeverisë shqiptare, duke ju drejtuar posaçërisht presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Nëpërmjet një statusi publik, Kryeministri Edi Rama, i ka kërkuar llogari presidentit të Serbisë, mikut të tij, Aleksandër Vuçiç, për deklaratën e bërë nga Ministri i Mbrojtjes, Aleksander Vulin.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Rama pyet Vuçiçin për këtë deklaratë dhe shpreson që të mos jetë e vërtetë. Sipas Ramës, Vuçiç në të kundërt duhet ta ndëshkojë ministrin për këtë shfaqje të mjerë.
“Alekandër Vuçiç, a është kjo e vërtetë apo është një meme që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim”,- shkruan Rama.
Ndërkohë, ministri Vulin në deklaratën e tij thekson se, nuk mund t’i ndalohet serbëve ajo që u lejohet shqiptarëve. Ministri serb është shprehur më tej se “Shqipëria e Madhe” është një paralajmërim i një katastrofe të madhe dhe se vetëm serbët mund t’a ndalojnë këtë gjë.
“Duke deklaruar se porti i Durrësit do t’i përkasë Kosovës, Edi Rama, vazhdoi me përpjekjet e tij për të krijuar një ‘Shqipëri të Madhe’. Si gjithmonë, Bashkimi Evropian do të qëndrojë i heshtur dhe nuk do të bëjë asgjë. Shqiptarët lejohen të bashkohen dhe të kapin territoret e njerëzve të tjerë, por serbët nuk lejohen të bashkohen as në vendin e tyre.
Kjo është një përsëritje e një gënjeshtre se ‘Shqipëria e Madhe’ është një Shqipëri e natyrshme dhe Serbët e bashkuar në një shtet janë një kërcënim për paqen. ‘Shqipëria e Madhe’ është një paralajmërim i një katastrofe të madhe, ndarja dhe shkatërrimi i shteteve dhe kombeve në Ballkan. Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalojnë ‘Shqipërinë e Madhe’ dhe sa më shpejt të bashkohemi institucionalisht, aq më shpejt koha e paqes do të fillojë në Ballkan. Ju nuk mund t’i ndaloni serbët të bëjnë gjërat që ju ua lejoni shqiptarëve”,- ka deklaruar ministri serb i mbrojtjes Vulin.
Postimi i Edi Ramës në “Twitter”
Përplasja mes Ramës dhe ministrit serb vjen një ditë pas marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri.
Në këtë mbledhje u nënshkruan 14 marrëveshje mes të cilave: dogana në Durrës (për Kosovën), linja hekurudhore dhe hidrocentrali që do të ndërtohet në Shqipëri për Kosovën.
Ndërkohë po përgatitet një takim i ngjashëm në nivel lokal. Rama ndër të tjera theksoi se, mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të hiqet kufiri.
/GazetaReforma.com/