Një 32 vjecar është arrestuar nga Policia në Fushë-Krujë, teksa nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar. Ai është larguar nga postoblloku, dhe gjatë largimit ka aksidentuar dhe një nga punonjësit e Policisë Rrugore që ishin aty.
Bëhet fjalë për të riun Klevis Balloku, 32 vjeç, që rezulton të jetë dhe me precedentë të mëparshëm kriminalë, dhe ishte në kërkim. Ndërkohë, për fat të mirë, polici i Rrugores gjendet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikqyrjen e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Nuk i bind urdhrit për të ndaluar, aksidentoi punonjësin e Policisë dhe u largua nga vendngjarja, kapet në kohë rekord autori i dyshuar.
32-vjeçari që drejtonte mjetin, person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe heqjen e paligjshme të lirisë.
Më datë 01.10.2020, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, në një nga pikat e kontrollit e ngritura në kuadër të Planit të Masave, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, shërbimet e Policisë i kanë shenjë një mjeti tip “Audi” për të ndaluar, por drejtuesi është larguar me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë Rrugore, i cili është dërguar në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe e kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në vitin 2012, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Heqja paligjshme e lirisë”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
/GazetaReforma.com/