Gjykata e Apelit ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, në seancën e zhvilluar në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Revolta e Margjekës nisi që në seancën e para 2 javëve, por vijoi edhe sot.
Që para nisjes sot të seancës, ish-gjyqtarja kërkoi praninë e mediave në gjyq, teksa përsëriti se sipas saj, është sulmuar politikisht, për mosdhënien e mandatit për ish-kryebashkiaken e Durrësit, Valbona Sako. Seanca u zhvillua pa praninë e mediave me kërkesë të prokurorisë, pasi sipas saj prishet sekreti hetimor.
Sërish në dalje, ish-gjyqtarja u revoltua dhe u përplas me policët që kishin për detyrë shoqërimin e saj. Ajo kërkoi disa herë të merrte fjalën para gazetarëve, por policia nuk e lejonte pasi kërkonte shoqërimin e saj. Margjeka thotë se të gjitha akuzat janë bërë për të prishur imazhin e saj, dhe se shuma prej 6 mijë euro për të liruar një të burgosur nga qelia, është propagandë. Mospraninë e mediave në sallë, ish-gjyqtarja e ‘kompesoi’ duke i dhënë dosjen e plotë në ngarkim të saj, gazetares Klodiana Lala.
“Me ju nuk flas (i drejtohet mediave) sepse keni thënë gjëra të pavërteta. Ky shtet nuk bëhet më. Mos më shty. (i thotë policëve) Harrojeni se do t’i dilni përballë shtetit. Guxoni që t’i dilni përballë shtetit. Ata që e bëjnë përfundojnë në burg. Mos më kap more. S’ka asnjë provë. Mos më prek moj. Më lër të flas. Kërkova mediat në gjyq, por nuk i lejuan. Kam dosjen këtu. Nuk lejohet të publikohet, merre Klodi se ty të besoj, të publikohet. Është vepër penale por ty të besoj. Më lër more të flas.
Në kohë të Enverit i kanë vrarë mor. Më lër të flas se do të përplas. Nuk i dhashë mandatit bashkiakes së Durrësit, është vend me mafie. S’e meritonin mandatin. Le ta varrosin familjen time. Kapet tjetri me 8 tonë drogë në Drejtorinë e Policisë dhe si ndodh asgjë, kapet tjetri me 8 mln euro dhe si ndodh asgjë. I la shteti me detyrim paraqitjeje,“- ka thënë e revoltuar jashtë seancës gjyqtarja Margjeka.
Kujtojmë se Mimoza Margjeka, e komanduar si ish-gjyqtare në Apelin e Durrësit, u arrestua disa ditë më parë bashkë me të shoqin, Arben Cara, pasi akuzohet se mori 6 mijë euro për të nxjerrë nga burgu një të arrestuar, Orion Balin.
Bali kishte kontaktuar me avokatin e tij, Skënder Demiraj, burrin e Margjekës, Arben Cara, dhe më pas ai doli nga burgu dhe u qëndroi në arrest shtëpie. Arrestimi u krye nga SPAK, dhe përgjimet zbuluan dhe emra të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive. Margjeka u la në arrest shtëpie, pasi kishte një fëmijë të vogël për të rritur dhe meqënëse edhe i shoqi ishte në burg.