Pas seancës së zhvilluar në Gjykatën e Apelit dhe pasi iu la në fuqi masa e arrestit në shtëpi, gjyqtarja Margjeka ka shpërthyer e revoltuar në akuza, duke mos i kursyer përplasjet me Policinë e Shtetit.
Edhe pse e prangosur dhe me disa efektivë që e shoqëronin, Margjeka ka arritur që t’ja dorëzojë dosjen e saj penale, gazetares Klodiana Lala për ta publikuar në media, edhe pse e vetëdijshme se kishte nxjerrë një sekret hetimor.
Sipas saj, gjyqi ishte bërë i fshehtë dhe pa prezencën e gazetarëve pasi i gjithë procesi është hakmarrje politike nga qeveria, sepse gjyqtarja nuk i dha mandatin ish-kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sakos. Duke u shtyrë me policët, të cilët donin ta dërgonin në shtëpi, Margjeka përmendi edhe rastin kur në Drejtorinë e Policisë ishte futur 8 ton drogë, dhe sërish nuk kishte të prangosur.
“Me ju nuk flas (i drejtohet mediave) sepse keni thënë gjëra të pavërteta. Ky shtet nuk bëhet më. Mos më shty. (i thotë policëve) Harrojeni se do t’i dilni përballë shtetit. Guxoni që t’i dilni përballë shtetit. Ata që e bëjnë përfundojnë në burg. Mos më kap more. S’ka asnjë provë. Mos më prek moj. Më lër të flas. Kërkova mediat në gjyq, por nuk i lejuan. Kam dosjen këtu. Nuk lejohet të publikohet, merre Klodi se ty të besoj, të publikohet. Është vepër penale por ty të besoj. Më lër more të flas. Në kohë të Enverit i kanë vrarë mor. Më lër të flas se do të përplas. Nuk i dhashë mandatit bashkiakes së Durrësit, është vend me mafie. S’e meritonin mandatin. Le ta varrosin familjen time. Kapet tjetri me 8 tonë drogë në Drejtorinë e Policisë dhe si ndodh asgjë, kapet tjetri me 8 mln euro dhe si ndodh asgjë. I la shteti me detyrim paraqitjeje,“- ka thënë e revoltuar jashtë seancës gjyqtarja Margjeka.