Nga sot, baret, kafenetë, restorantet dhe pishinat e mbyllura do të hapin dyert e tyre dhe do të funksionojnë duke pritur klientë edhe në ambientet e brendshme, pas rreth 7 muajsh të mbyllura.
Kështu qytetarët shqiptarët tashmë e kanë mundësinë të konsumojnë një kafe edhe në ambientet e brendshme të lokaleve, të hanë një drekë brenda në restorant, apo të frekuentojnë pishinat e mbyllura.
Në restorante dhe lokale nuk do të ketë vetëshërbim, stafi duhet të mbajë maskë si dhe do të respektohet distanca prej 2 metër mes tavolinave.
Ndërkohë në pishina, ambienti duhet të ajroset 5 herë në ditë dhe nëse rezulton në to një person i infektuar, menjëherë do të mbyllet ky biznes.
RREGULLAT:
Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë bëri edhe publike protokollet e sigurisë që duhet të zbatojnë këto biznese. Sipas protokollit, në ambientet e mbyllura të bareve, restoranteve duhet të ketë një korridor të dedikuar për klientët deri në arkë dhe një korridor për daljen nga ambienti në mënyrë që klientët të mos kenë kontakt me njëri tjetrin.
Po kështu nëpër lokale nuk do të ketë vetëshërbim dhe lokalet duhet të shërbejnë me meny elektronike ose të plastifikuara që të dezinfektohen vazhdimisht.
Në ambientet e brendshme të këtyre bizneseve do të respektohet distanca prej 1.5 metër mes klientit dhe stafit, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë me njëra-tjetrën 2 metra.
Nëse pagesa bëhet në arkë duhet vendosur një xham peciglasi midis punonjësit dhe klientit. Pastrimi, dezinfektimi dhe ajrosja e bareve dhe restoranteve duhet të jetë në mënyrë të përsëritur disa herë në ditë, që nga ambientet deri tek dorezat e dyerve, tavolinat, tabakatë dhe çdo sipërfaqe tjetër.
Në pishina ajrosja e ambientetit duhet të bëhet 5 herë në ditë dhe duhet të dezinfektohet 3 herë në ditë.
Asnjë personel nuk do të lejohet të punojë më temperaturë 37.5 dhe secili prej tyre është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të infektuar. Po kështu të gjithë punonjësit duhet të mbajnë maskë dhe për çdo simptomë të shfaqur duhet lajmëruar mjeku i familjes ose 127.
Në pishina, nëse evidentohet vetëm një rast me covid, do të mbyllet menjëherë i gjithë aktiviteti, pavarësisht hetimit epidemiologjik. Ato do të funksionojnë me orar dhe numri i frekuentuesve do të përcaktohet në varësi të hapësirës së biznesit.
/GazetaRefoprma.com/