Skip to content
Aktualitet

Pengmarrja në Fier/ RENEA zgjidh situatën, dorëzohet dhëndri që kërcënonte familjen e nuses

· 2 min lexim

Është dashur ndërhyrja e forcave speciale RENEA për të neutralizuar dhe vënë në pranga Elton Metën nga Fieri, dhe për të zgjidhur një situatë të komplikuar.

Pengmarrja e një familjeje në Zhupan të Fierit ka marrë fund sot në orët e para të mëngjesit të së dielës, fatmirësisht pa persona të lënduar.

Autori Elton Meta, 31 vjeç, është kapur nga forcat RENEA, pas disa orëve kërcënime se do të vriste veten, i mbyllur brenda shtëpisë së vjehrrit të tij.

Meta kishte pasur konflikte me bashkëshorten dhe ndaj ishte future në shtëpinë e prindërve të saj dhe ishte mbyllur brenda me të gjithë familjen e gruas duke i frikësuar me armë se do t’i vriste ata dhe veten.

Policia arriti të evakuojë familjen e vjehrrit të Metës dhe pas disa orëve negociata me 31-vjeçarin arriti që që afër mëngjesit,  rreth orës 4:00, ta bindte  të dorëzohej.

Policia tha se, “falë negociatave të Strukturave të Policisë Vendore Fier, Prokurorit të çështjes dhe ekipit negociator të RENEA-s, dorëzohet shtetasi E. M. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip automatikë dhe një gëzhojë.

31-vjeçari u shoqërua në Komisariatin e Policisë Fier për sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprime të mëtejshme hetimore”, njofton Policia.

Shkaqet që çuan Metën në këtë akt të rrezikshëm nuk bëhen të ditura.

/GazetaReforma.com/