Skip to content
Të Gjitha

Vrau ish-gruan gjyqtare, burg përjetë për Kasemin

· 1 min lexim

Gjykata Krimeve të Rënda ka dhënë dënimin maksimal për Fadil Kasemin, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Kasemi vrau ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizi.

Gjatë seancës së sotme, mbrojtja pretendoi rrëzimin e akuzës së rrëmbimit, ndërsa pranoi akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, dhe kërkoi lehtësimin e masës së dënimit.

Në fund, avokati Ilia Ilia, kërkoi nga gjykata dënimin e Kasemit në një total prej 25 vitesh, duke tentuar që të shpëtonte klientin e tij nga burgimi i përjetshëm.

Gjatë fjalës së tij, Kasemi tha se ishte penduar për krimin, ndërsa kërkoi që në argumentimin e vendimit të merreshin parasysh edhe arsyet që e kishin çuar që ai të kryente vrasjen.

Mbi Kasemin rëndojnë tre akuza, “vrasje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim dhe mbajtje peng personi”. Krimi i rëndë u shënua me 31 gusht 2017 pranë shtëpisë ku banonte Fildesi.

Edhe pse kishin më shumë se dy vite të ndarë, Kasemi përndiqte ish-gruan e tij me të cilën kishte dy fëmijë.