Shorti i Europa League/ Laçi mund të ‘përplaset’ me Tottenhamin e Murinjos, Kukësi pritet të sfidojë Wolfsburg
Ekipet shqiptare të Superiores, presin me ‘zemër të ngrirë’ shortin për Europa Leaguen, që do të hidhet në Nyon të Zvicrës.
Në këtë short për turin e dytë të kualifikuesve të Europa League, skuadrat shqiptare të Kukësit, Laçit dhe Teutës, do të mësojnë rivalët e tyre.
UEFA i ka ndarë skuadrat në grupe dhe secila skuadër ka mësuar rivalët e mundshëm. Kështu Laçi rrezikon një rival të madh në turin e dytë. Kurbinasit mund të përballen me Tottenham që drejtohet nga trajneri i njohur José Mourinho.
Ndërsa dy kundërshtarët e tjerë të mundshëm të Laçit mund të jenë edhe Hapoel Ber Sheva dhe ukrainasit e Kolos Kovalivka.
Rival të fortë mund të rezervojnë goglat edhe për Kukësin. Gjermanët e Wolfsburg, kroatët e Hajduk Split dhe ekipi nga Bosnja Zrinjski janë kundërshtarët e mundshëm për ekipin e Skënder Gegës.
Ndërkohë që edhe ekipi i Teutës pritet të mos ketë rivalë të lehtë. Në grupin e tyre, Djemtë e Detit parashikohet që të përballen me një prej skuadrave si spanjollët e Granadas, Apollon Limasolin e Qipros apo Steauan e Bukureshtit.
Edhe ky tur do të luhet me një ndeshje të vetme dhe sipas kalendarit do të luhet më 17 shtator. Ndërkohë ditën e nesërme ekipi i Tiranës do të mësojë rivalin e turit të tretë të Europa League.