Skip to content
Të Gjitha

Demokratët në ‘ethe’, Basha gati fshesën për kritikët?

· 1 min lexim

Partia Demokratike, do të përballet me një tjetër dallgë brenda selisë së saj. Sipas burimeve, partia më e madhe opozitare në vend, ka  thirrur të shtunën mbledhjen e  Këshillit  Kombëtar, ndërsa në rend dite është parashikuar zgjedhja e Kryesisë se re.

Mbledhja do të nisë në orën 11:00, ndërsa rreth 270 anëtarë të Këshillit do të votojnë për nënkryetarët, 15 emra që zgjidhen direkt, Sekretarin e Përgjithshëm, dhe 4 sekretarët funksional.

Pjesë e Kryesisë janë gjithashtu kryetarët e organizatave partnere,  zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga kryetari i PD-së.

Me këtë moment Partia Demokratike, përmbyll fazën e ristrukturimit të saj, duke u përcaktuar ekipi që do të ndihmojë Lulzim Bashën në 4 vitet e ardhshme.

Ajo që ndjehet brenda PD-së, janë zërat për ‘prerje kokash’, të gjithë atyre që i kanë dalë kundër liderit demokrat gjatë kësaj kohe.

Dihet se demokratët janë ndarë në disa klane, ku shumë prej tyre mbajnë lidhjet me gardën e vjetër të PD, si Topalli, Bode, Patozi, Ruli, Bregu etj, zëra të fuqishëm që janë pozicionuar kundër Bashës.