Presidenti Ilir Meta dhe opozita e bashkuar dolën sot me një qëndrim të përbashkët duke kërkuar që të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutë, që janë pjesë e Reformës Zgjedhore të diskutohen në Këshillin Politik.
Lajmi u bë publik nga Meta, paraditen e sotme në një reagim në mediat sociale, dhe i bëri një ftesë Ramës për t’u ulur në tryezën e Këshillit Politik. Në të njëjtën linjë është dhe opozita jashtëparlamentare, e cila prej ditësh ka kërkuar që çdo ndryshim të diskutohet në KP dhe jo në Kuvend, ku mungon konsensusi.
Pas kësaj ftese publike, ka ardhur një përgjigje nga Kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në mediat sociale shprehet se është gati të ulet e të bisedojë me të gjithë. Kreu i qeverisë propozon të hënën si ditë takimi dhe në tryezë pret Bashën dhe Metën, pasi si përfaqësues i maxhorancës do të shkojë vetë ai.
Por kur u duk se konsensusi u arrit, përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari shprehet kundër.
Deputetja Hajdari shprehet se listat e hapura janë diskutuar ne Këshillin Politik dhe janë refuzuar nga opozita jashteparlamentare, pasi sipas saj opozitarët e kishin mendjen tek tenderi i biometrikes dhe se takimi me Ramën në KP është një pazar dhe show.
Hajdari thekson se nëse kanë ndryshuar mendje duhet të japin “ok” për propozimin e saj.
Deklarata e Hajdarit
Listat e hapura janë diskutuar në Këshillin Politik dhe janë refuzuar nga opozita jashteparlamentare se e kishin mendjen te tenderi i biometrikes.
Nëse kane ndryshuar mendje, le ta japin ok per propozimin tim dhe te rreshtohen me qytetarët. Nëse duan pazar me Edi Ramën, të na kursejnë show të tre, të mbyllen në vilat e tyre në fundjavë e ta bëjnë pa marrë kohë nga qytetarët të cilët duan lista të hapura e duan ndryshim sepse jane lodhur nga 30 vite pazar në kurriz të tyre.