Pas deklaratave të ashpra të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama Rama sa i takon debatit për listat e hapura.
Përmes një mesazhi në Twitter, kreu i qeverisë s’i ka kursyer ironitë sa i takon ofertës që lideri i PD-së theksoi se i kishte bërë Rama. Kryedemokrati në daljen e tij për media tha se Rama i ka futur ndërmjetës dhe kërkonte që Basha të bëhej kryeministër dhe vet të ishte president me kushtin e vetëm që të hiqeshin koalicionet parazgjedhore.
“Për një muaj e gjysmë Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij me të njëjtin mesazh, ti kryeministër unë president vetëm të heqim koalicionet. Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit. Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij. Ky ka qenë mesazhi i tij: “Heqim koalicionet dhe ti kryeministër e unë president”. Kështu e sheh Rama politikën si një pazar i ndyrë”,- pohoi Basha.
Rama shkruan se e di popullin më të mençur se veten, ndaj do që të hapen listat dhe se nuk ka s’i ta bëjë Lulzim Bashën kryeministër sepse këtë e vendos populli.
Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër, se paskam frikë nga humbja😂Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë! Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB,as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe,e lëri sharjet e kërcënimet,sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje!
Më herët ditën e sotme kryeministri Rama tha në një deklaratë për mediat se Partia Socialiste e mbështet hapjen e listave për ti dhënë mundësi çdo qytetari që të marrë pjesë dhe të zgjedhë preferencën e tij. Gjithashtu ai ka theksuar se arsyet e vonesave ju i dini dhe kur në Kuvend ka hyrë në proces sipas të gjithave rregullave qoftë pasqyrimi pikë për pikë i marrëveshjes me opozitën jashtë parlamentare, qoftë edhe nisma e opozitës parlamentare.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha akuzoi Ramën se sot prishi në esencë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore pas deklaratës se është për hapjen e listave dhe rrjedhimisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ai u shpreh se nga komunikimet që ka pasur ditën e sotme, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për lëvizjen e kryeministrit Edi Rama për të hapur listat dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore.
Në një deklaratë për mediat kreu i demokratëve tha se opozita është e vendosur të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, në të cilën nuk përfshihen ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Rama për lista të hapura dhe pa koalicione.
LEXO: Hapja e listave e ndalimi i koalicioneve, Basha kundër: “Rama prishi marrëveshjen e 5 qershorit