Policia sekuestroi mbrëmjen e djeshme 40 mijë paund brenda një mjeti tip “Porsche” në zonën e Bradasheshit në Elbasan. Mjeti ku u gjetën paratë, drejtohej nga një 35-vjeçar me iniciale A.S.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin A. S., 35 vjeç, banues në fshatin Vodice të Beratit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale kjo shumë parash, për të cilat i riu nuk dispononte asnjë dokument për burimin e tyre.
Më pas ai u shoqërua në komisariat dhe pas veprimeve hetimore, u procedua penalisht.
Njoftimi i policisë
Elbasan
Kontrolle të befasishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike, si dhe për goditjen e informalitetit.
Qarkullonte me automjet duke mbajtur me vete një sasi të madhe në paund, procedohet penalisht poseduesi i tyre, për mosdeklarim në kufi dhe fshehje të të ardhurave.
Sekuestrohen 40 mijë paund.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Policisë Rrugore, në vendin e quajtur Bradashesh, në kuadër të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave “Për kontrollin e territorit dhe personave me precedent kriminal që mbajnë armë pa leje” kanë ushtruar kontroll të befasishëm në një automjet, drejtuesi i të cilit dyshohej se mund të merrej me veprimtari të kundërligjshme.
Si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin A. S., 35 vjeç, banues në fshatin Vodice, Berat, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të mjetit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 40 mijë paund, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument për burimin e tyre.
Shtetasi A. S. është shoqëruar në ambientet e DVP Elbasan dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është proceduar penalisht. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.