Një çift të moshuarish nga Tirana i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama për ndihmë, pasi kanalizimet në lagjen e ture janë të dëmtuara dhe sa herë që bie shi ato shpërthejnë në sipërfaqe. Çifti jeton në rrugën “Riza Cërova”, në qendër të Tiranës, sipër një bodrumi i cili vjen gjithmonë erë e keqe.
“Gjithë pisllëk, nuk vjen njeri, nuk vjen, janë korrupsion i madh. Unë mezi po rri këtu,’’ thotë i moshuari.
Në kronikën e publikuar nga “Balkanweb”, Fotaqi 74-vjeçar, vuan nga një sërë sëmundjesh dhe tregon se mezi mbahet në këmbë edhe për shkak të moshës së tij.
Fotaqi tregon me dorë bodrumin që për të dhe bashkëshorten është kthyer në makthin më të madh.
Maskën nuk e heq për asnjë çast dhe pse thotë se ndjen më shumë rrezik nga infeksioni i fekaleve që kanë pushtuar bodrumin sesa nga vetë covidi.
“Gjithmonë kur bie shi bëhet kështu. Që thotë ministrja ruhuni. Unë jam shumë i sëmurë. Këta janë të korruptuar’’- shton i moshuari.
Ai tregon për bashkëshorten e tij që e ka krahun e fashuar dhe shprehet se ajo është rrëzuar në tokë, në një ditë kur binte shi dhe kur kishte tentuar të largonte ujin nga bodrumi. Me frymën që i mbahet vazhdimisht, Fotaqi tregon peripecitë e tij në dyert e institucioneve vendore për të gjetur një zgjidhje për ujërat e zeza, zgjidhje që nuk u erdhi kurrë.
“I kam çuar të gjitha. Nuk çan kokë njeri. Jo do marr inxhinierin. Jo do marr unë, vetëm gënjeshtra,” shprehet 74-vjeçari.
Ky i fundit i drejton thirrjen e fundit kryeministrit Edi Rama që t’i japë zgjidhje problemit të tyre, pasi jemi edhe në mes të një pandemie të rrezikshme që deri tani ka shkaktuar 55 viktima në vendin tonë.