Shoqata për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) ka reaguar në lidhje me trajtimin e species së rrëqebullit të Ballkanit në disa zona të vendit tonë, pasi 3 rrëqebuj të vrarë në mënyrë të paligjshme janë ekspozuar të balsamosur si objekte zbukurimi në një prej lokaleve të Elbasanit.
Identifikuar si një specie me rrezikshmëri kritike për zhdukje, rrëqebulli i Ballkanit në vendin tonë vijon të rrezikohet prej gjuetisë së paligjshme.
“Jo vetëm rrëqebuj, por edhe arinj, kaproj dhe lloje të tjera të mbrojtura ekspozohen në këtë restorant, i cili servir në mes të ditës edhe pjata me kafshë e shpendë të egra, përfshirë derra të egër, kaproj, mëllenja dhe shapka”, shkruhet ne reagimin e PPNEA-s për shtyp.
Pavarësisht ndalimit të gjuetisë me ligj që prej vitit 2014 në Shqipëri, shpesh herë banorët në zonat malore paraqiten të pabindur ndaj rregullave të gjuetisë dhe nuk ndalen para vrasjes së kafshëve të egra, një pjesë e madhe e të cilave janë gjitarë të rrallë e të rrezikuar.
Rrëqebulli boreal është klasifikuar si një specie e egër e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
“Numërohen më pak se 50 individë të rritur të kësaj specie në popullatën e tyre globale. Situata në Ballkan është vërtet kritike, pasi nuk egziston një proces çiftimi i rrëqebullit të Ballkanit në kopshtet zoologjike”, është shprehur Urs Breitenmoser, specialist i specieve feline në Unionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, duke theksuar se rrëqebulli ishte konsideruar i zhdukur, derisa u rizbulua në vitin 2000.
“Sot kjo specie do të çiftohej vetëm ne malet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, vijoi Breitenmoser në një prononcim për gazetën franceze “Liberation”, në një artikull kushtuar rrëqebullit në Shqipëri.
Rrëqebulli është predatori i tretë më i madh në Europë dhe Ballkan, specie e cila jeton kryesisht në zona pyjore dhe përshkon distanca të mëdha. Popullsia e rrëqebullit në Ballkan, e specifikisht në Shqipëri përllogaritet të jetë rreth 10 individë, ndërkohë që 4 prej tyre janë identifikuar pranë zonës së Munellës, në Pukë-Mirditë.
Pavarësisht se kjo specie është e mbrojtur me ligj, rrëqebulli i Ballkanit vitet e fundit është rrezikuar nga gjuetia e paligjshme, degradimi i habitatit pyjor si edhe mungesa e ushqimit.
Sipas botimit francez ” Liberation”, në Shqipëri ekziston akoma turizmi i kafshëve të balsamosura nëpërmjet të cilit shumë bare apo restorante i përdorin këto të fundit për të argëtuar dhe tërhequr vizitorët, ndërkohë që për kafshët ky është një lloj kopshti zoologjik i ferrit.
“Ky fenomen ka një efekt të madh në mënyrën sesi publiku e percepton natyrën e egër”, u shpreh Aleksandër Trajçe , drejtor i PPNEA, në një deklaratë për gazetën franceze.
Shpeshherë “shfaqje makabre” të kafshëve të balsamosura që vizitohen nga turistë dhe vendas të grup-moshave të ndryshme mund të kenë efekte negative afatgjata edhe në perceptimin e brezave të ardhshëm mbi jetën e egër.
Për të parandaluar përhapjen më tej të këtij fenomeni, PPNEA i bën thirrje të gjithë institucioneve vendimmarrëse, politikbërëse dhe ligjzbatuese, që të reagojnë me urgjencë ndaj rastit në fjalë dhe të parandalojnë në vazhdimësi raste të ngjashme, të cilat përbëjnë krime mjedisore, si dhe një rrezik serioz ndaj llojeve që janë drejt zhdukjes në vendin tonë.
Burimi/birn.al