E teksa ditën e sotme policia e Kurbinit ka proceduar dhe ka gjobitur me 2 milionë lekë dy persona, pasi u kapën duke gërryer shtratin e lumit Mat, duket se “ligji bën përjashtim” për disa kategori.
Një ndër to është edhe firma “Gjikuria” e cila ka nisur gllabërimin e natyrës.
Para disa ditësh, raportuam një denocim sipas së cilit në dy monumente natyrore Kanioni i Gjipesë dhe Bokërrimat e Vunoit, ushtrojnë aktivitet të jashtëligjshëm, guroret e firmës Gjikuria.
Denoncimi është bërë nga Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit në Partinë Demokratike, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook i ka bërë një sfidë kryeministrit Edi Rama, dhe dy ministrave, Belinda Balluku dhe Blendi Klosit.
Malltezi ka publikuar edhe një video, ku shihen eskavatorët që vazhdojnë të nxjerrin gurë nga mali.
Edhe sot e kësaj dite mbetet e dyshimtë se nga kush e ka marrë lejen mjedisore kompania në fjalë, e cila ka ndërhyrë duke ndërtuar gurore në monumente mjedisore, në një kohë kur vetë ‘numri 1 i mjedisit’ Blendi Klosi ka deklaruar se ato shkaktojnë dëme të pariparueshme në mjedis.
Sakaq, edhe plani urbanistik mbetet në tym, ndërsa nuk ka ende asnjë reagim zyrtar rreth kësaj çështjeje.
E teksa ne po prisnim përgjigje rreth çështjes së mësipërme, kompleksi “Drymades Inn”, me në krye biznesmenin Lorenc Gjikuria ka nisur të kryejë punime në vijën bregdetare përpara resortit të tij.
Dosja.al ka siguruar pamje, ku shihet se si eskavatorët kanë zbarkuar në këtë vijë bregdetare dhe po kryejnë punime, ku vihen re që ka hekura dhe mbetje nga më të ndryshmet që ka lënë pas sezoni i dimrit dhe erërat e forta që kanë përfshirë këtë zonë.
Siç duket, Gjikuria ka marrë përsipër të bëjë rregullime përpara kompleksit të tij, dhe po përgatitet për hapjen e sezonit veror, por në kurriz të vijës bregdetare të Drymades.
Ndryshe nga dy personat e gjobitur ditën e sotme, Gjikurisë ende nuk i është prekur asnjë ‘fije floku’ nga autoritetet.
Të mos u kenë rënë në sy fadromat dhe punimet që po kryhen?!
Nuk do ishte çudi, sepse Ministrisë së Turizmit nuk po i bien në sy shumë shkatërrime që po i bëhen natyrës, ku “të preferuarit” e qeverisë kanë zbarkuar më terren e po bëjnë më të mirën për biznesin e tyre në kurriz të natyrës dhe shqiptarëve.